Kosova

Lajçak informohet nga EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i për situatën në Kosovë


Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë është takuar me shefen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Zijadeh, shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan UIutas.

“Vlerësoj informimet e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për situatën në terren dhe vlerësimin e tyre për muajt në vijim”, ka shkruar Lajçak në platformën X.


Një ditë më parë, diplomati sllovak pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, ka njoftuar se me kryenegociatorin kosovar kanë diskutuar për nevojën e përshpejtimit të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Arsyeja e vizitës ishte diskutimi se si të ri-fokusohemi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne e kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë implementimin e saj, kjo është çështja parë që e kemi diskutuar sot me Bislimin”, tha ai para gazetarëve.

Po ashtu, Lajçak ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi, deri në fund të muajit janar.

Edhe Bislimi ka njoftuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

Bislimi, ndër të tjera në takim ka vlerësuar se Serbia “në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj”.

“Veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiç në dhjetorin e kaluar”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, këtë të mërkurë, Lajçak pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore