Kosova

Lajçak dhe Escobar do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë në fillim të javës tjetër


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak si dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet që të hënën dhe të martën e ardhshme të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë.

Vizita e tyre, sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, transmeton AlbanianPost, thuhet se ka dy qëllime kryesore, njëra prej tyre është ulja e tensioneve në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Qëllimi tjetër thuhet të jetë vazhdimi i punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndryshe, më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore