Kosova

Ladrovci, Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit: Mos provokoni situata që s’mund t’i qeverisni


Ramiz Ladrovci

“Tuj u mundue me ndreq vetulla, mos ia lëndoni sytë Kosovës”, i ka thënë Ramiz Lladrovci Qeverisë.

Këto komente, Kryetari i Drenasit i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, përkundër kundërshtimeve të QUINT-it, ka paraljamëruar hapjen e Urës mbi Lumin Ibër.

Ura e Mitrovicës, ka thënë Lladrovci, “është simbol i dhimbshëm në shtatin e Kosovës shtet”.

“U vu nga forca madhore, forcë e cila na ndihmoi ta kemi shtetin me 10.905 kilometra katror, të njohur me më shumë se 115 shtete”, shtoi.

Të premten, ambasadorët e QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës), u takuan me kryeministrin Kurti, ku diskutuan për hapjen e Urës së Ibrit.

Pas takimit, me një mesazh të shkurtër, por tepër të qartë, në një prononcim para mediave, ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se vendet e QUNIT-it në konsultim me NATO-n janë kundër hapjes së Urës mbi lumin Ibër.

Prandaj, Ladrovci ka theksuar se “loja me durimin e ndërkombëtarëve i kushton shtetit dhe kjo nuk duhet të bëhet nga kushdo që ia do të mirën Kosovës”.

“Zgjedhjet shkojnë e vinë, por, betonimin e urës si shenjë e ndarjes, në çfarëdo rasti do të garantohej nga forcat e KFOR-it. Ura për këmbësor, sot është e lirë. Kjo ‘trimëri’ nuk i ka hije asnjë lideri që e mendon të tashmen e të ardhmen e Republikës së Kosovës”, pohoi.

Kësaj situatë, në prizmin e tij, e më së miri i shkon fjala e urtë “tuj u mundue me ia ndreq vetullat, ia nxjerr sytë”.

“Patriotizmi i vonuar dhe ‘gjyksat’ në këtë kohë, bëjnë dëm. Mos provokoni situata që nuk mund i qeverisni. Pa aleatët, nuk do të arrinim deri këtu, kujdes!”, përfundoi.

Çka ndodhi?

Të premten u mbajt një takim në mes të ambasadorëve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës), dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutua për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Pas takimit, Hovenier, tha se QUINT-i, në konsultim me NATO-n, janë kundër hapjes së Urës mbi lumin Ibër.

Por, krejt i ndryshëm do të ishte reagimin i Qeverisë. Ata thanë se ura që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut duhet të hapet dhe se ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt.

Ndërsa, të enjten, ishte zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ripërsëriti se hapja e urës së Ibrit është temë për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Unioni.

Nga kryeqendra evropiane, Bruksel, Stano potencoi se Blloku “nuk ka spekuluar asnjëherë për skenarë apo qëndrim të përgjithshëm kur bëhet fjalë për marrëveshjet që duhet të zbatohen si pjesë e dialogut”.

“Është një qëndrim afatgjatë i Brukselit që vlen për të dyja palët. Çdo hap apo veprim i ndërmarrë apo i planifikuar për t’u ndërmarrë nga njëra apo tjetra palë në dialog, që mund të ndikojë në rrjedhën e bisedës, duhet të zgjidhet ose diskutohet si një nga temat e dialogut nën mbikëqyrjen e BE-së”, theksoi Stano.

Në këtë drejtim, ai është pyetur në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër, ku deklaroi se kjo çështje duhet të jetë temë e dialogut.

“Rihapja e urës në Ibër është temë e dialogut dhe çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut”, shtoi.

Vetëm disa orë më pas, ndaj kësaj deklarate do të reagonte presidentja Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit theksoi se nuk ka çka pyetet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se kur hapen urat, duke treguar se kjo çështje s’duhet të bëhet pjesë e dialogut të Brukselit.

“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuçiç-i nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, tha Osmani.

Ajo ka potencuar se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve dhe partnerëve të sigurisë (veçanërisht me NATO-n), “në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve”.

Po për këtë çështje ishte biseduar edhe gjatë një takimi që Kurti kishte pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, më 17 korrik.

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhej në njoftimin e kryeministrisë.

Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që kjo temë të trajtohet në dialog.

Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore