Vende

La Stampa: Epoka e parë e artë e Shqipërisë, tani vijnë italianët për të hapur kompani


Ka ardhur koha të harrohen pamjet e atëhershme.

Duhet fshirë nga kujtesa anija “Vlora” dhe ngarkesa e saj me burra e gra që ikën nga Shqipëria e zhytur në një katastrofë pa të ardhme.

Ishte pikërisht kjo ditë, por 32 vjet më parë: 8 gusht 1991.

Asokohe Italia ishte me të vërtetë Toka e Premtuar e një populli që sheh gjithçka përreth duke u shembur.

Sot nuk është më kështu. Anijet janë zhdukur. Në të vërtetë jo, ka, por quhen tragete. Dhe lundrojnë në det në drejtim të kundërt të asaj dite.

Bari – Durrës, ose Vlorë.

Ato zbarkojnë fatkërkuesit, turistët, të gjithë në rrugët tepër të ngarkuara të këtij vendi të çuditshëm që po përjeton epokën e parë të artë.

Dhe ka familje që shkojnë me pushime ose që vijnë këtu për të kërkuar një punë, për të bërë biznes.

Duhen fshirë nga kujtesa fotot e burrave dhe grave të ngjitura në shtizat e flamurit dhe më pas të mbyllur në një stadium futbolli.

Në Shqipëri, tani vijnë italianët për të hapur kompani. Po ashtu nuk vijnë të shijojnë detin pa zbrazur portofolin.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Jashtme italiane tregojnë se janë 2 mijë e 251 italianë që banojnë në Shqipëri.

Ky është një numër mjaft i ulët në krahasim me një popullsi lokale prej më pak se 3 milionë banorë. Por rezulton edhe se këtu jetojnë më shumë se 20 mijë italianë dhe të gjithë kanë ardhur në pesë apo gjashtë vitet e fundit.

Ata ja nisën të bëjnë biznes. Jo të gjithë, sigurisht, por ka ende shumë.

“Ka edhe shumë pensionistë që janë larguar nga Italia për të ardhur në këto anë. Mundësisht diku përgjatë bregdetit”, thonë ata.

Edhe nëse Durrësi nuk është tamam një fotokopje e Long Island, është një vend më shumë se i denjë për të jetuar, me një pension mesatar-të ulët.

Por janë kompanitë ato që bëjnë diferencën.

Disa numra mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë fenomenin. Janë 2 mijë e 695 kompani me kapital italian apo miks, që ekzistojnë në Shqipëri.

Nga këto, 1 mijë e 911 janë tërësisht italiane.

Kaq? Absolutisht jo.

Referuar raportimeve nga Banka e Shqipërisë, Bel Paese është në vendin e katërt për sa i përket investitorëve të huaj. Dhe i paraprin vetëm Zvicra, Holanda dhe Kanadaja.

Kurse banka San Paolo është e katërta në Shqipëri.

Përveç banalitetit të pushimeve, të italianëve që kursejnë para dhe vijnë vetëm për ushqimet e lira dhe hotelet që hapin dyert e dhomave dyshe me çmimin e një konvikti në vitet ‘80 në Liguria.

Eldorado e Vendit të Shqiponjave është diku tjetër. Është në rrugët e Tiranës, e cila larg qendrës duket si periferi.

Shtëpi të pa suvatuara, tufa kabllosh elektrike që kryqëzojnë fasadat e ndërtesave për qindra metra. Dhe një trafik tashmë i ndërlikuar që çmendet për asgjë. Dhe rrugë që duhet të jenë dy herë më të gjera.

Ana e mirë është se portofoli nuk ndikohet shumë, edhe nëse kostoja e jetesës është rritur në tre vitet e fundit. Por leku mbetet nën euro, edhe nëse ka nga ata që e kërkojnë atë për të rimarrë më shumë terren në monedhën evropiane.

Nëse kjo është tabloja e përgjithshme e ekonomisë së shëlbimit të madh shqiptar, pyetja mbetet pezull: pse vijnë njerëzit për të bërë biznes në këto anë?

“Për një përzierje arsyesh nga më të ndryshmet”, thotë Arturo Verzoli Fornone, nënkryetar i Confimi Albania, akronim i Konfederatës së Industrive prodhuese italiane.

Sipas tij, shumica e sipërmarrësve zbarkojnë në këtë vend për shkak të kostos së ulët të punës dhe faktit që taksat janë pothuajse zero, ose maksimumi 15 për qind.

Por ka edhe anën e vet të errët.

“Ka probleme serioze me infrastrukturën. Energjia shpesh mungon. Dhe ka korrupsion”.

Nëse këto pengesa kapërcehen me një ngritje supesh dhe vazhdohet rruga përpara, atëherë vendi është me të vërtetë një mundësi.

Arturo ka treguar se ka ardhur në Shqipëri 23 vjet më parë. Për dashurinë. Dhe qëndroi.

Sot ai drejton një kompani që merret me sigurinë.

Duket se është shenjë e mirë. Dashuria dhe sipërmarrja: t’i bësh këto të dyja të ecin së bashku është sekreti i Shqipërisë që ka fshirë kujtimin e anijes së Vlorës.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore