Përballje

La Liga, ditë për skuadrat e mesit të tabelës


Të gjitha skuadrat e kreut të tabelës zhvilluan ndeshjet e tyre gjatë së shtunës në La Liga.

Fituese të vërteta të ditës ishin Sevilla, Betis-i dhe Real Madrid-i.

Dy të parat arritën fitore të mëdha, duke u ngjitur në vendin e dytë dhe të tretë.

Real Madrid në anën tjetër zgjeroi diferencën në krye duke përfituar nga humbjet direkte të rivalëve si Atletico Madrid dhe Barcelona.

Sot, në program janë edhe katër ndeshje tjera në kuadër të javës së 16-të.

Ditën e nis befasia e këtij sezoni, Rayo Vallecano.

Skuadra e vogël nga një provincë e Madrid-it, pret në Vallecas skuadrën katalunase, Espanyol-in.

Me një fitore eventuale, Rayo do të afrohej në vetëm dy pikë me ‘top 4’, deri sa do t’i ikte katër pikë Barcelonës.

Në anën tjetër, edhe Espanyol-i kërkon të bashkohet me rivalët e qytetit.

Një fitore për katalunasit, do të thoshte barazim me nga 23 pikë me Barcelonën, si rallë herë në këtë pikë të sezonit.

Ndeshja fillon në orën 14:00.

Pas saj, vjen ndeshja mes Elche-s dhe Cadiz-it, dy skuadrave në luftë të ashpër për mbijetesën.

Të dyja kanë nga 12 pikë dhe gjenden në zonën e ftohtë pas 15 javësh, dhe të dyja kërkojnë tre pikët për t’iu shmangur kësaj zonë të paktën për një javë.

Kjo ndeshje fillon në orën 16:15.

Në orën 18:30, Osasuna është mysafire e skuadrës së fundit, Levante-s.

Derisa Levante ende nuk ka gjetur fitoren në këtë edicion të La Liga-s, Osasuna nuk ka fituar në pesë ndeshjet e fundit.

Me një fitore, edhe Osasuna do të ngjitej në kuotën e 23 pikëve, sa ka Barcelona.

Kurse, Levante, nëse arrin fitoren e parë, do të bashkohet me Getafe-n e vendit të parafundit me nga 10 pikë.

Dita mbyllet në orën 21:00, në Vigo.

Celta e vendit të 14-të, pret Valencia-n e vendit të 11-të.

Asnjëra nga skuadrat nuk po kalon në formë të mirë, dhe kërkojnë që sot të këndellet me një fitore eventuale.

Celta mund të barazohet me kundërshtarët e tyre me një tre pikësh, kurse Valencia do të afrohej përsëri në garën për Evropë.

Këto ndeshje mbyllin ditën e dielë, kurse java mbyllet të hënën me duelin Getafe – Athletic Bilbao.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore