Lajme

Kyaw Zwar Minn: Atasheu ushtarak ka ‘okupuar’ ambasadën


Ish-ambasadori i Myanmar-it në Londër, Kyaw Zwar Minn, e kaloi natën e së mërkurës së 7 prillit në makinën e tij.

Mësohet se atasheu ushtarak i Myanmar-it i ka kërkuar Minn-it, që së bashku me stafin e tij të largoheshin nga ndërtesa, duke e shkarkuar nga funksioni si përfaqësuesi i vendit.

Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, ka dënuar “veprimet ngacmuese”.

Ushtria e Myanmar-it mori pushtetin në një grusht shteti më 1 shkurt, duke shkaktuar protesta dhe përshkallëzim të dhunës.

Kyaw Zwar Minn ka kritikuar grushtin e shtetit ushtarak, duke bërë thirrje për lirinë e kancelares së rrëzuar të Myanmar-it, Aung San Suu Kyi.

Rreth 600 persona, përfshirë dhjetëra fëmijë, janë vrarë deri më tani, ndërsa protestuesit pro-demokracisë kërkojnë një kthim në pushtet të udhëheqëses Suu Kyi-së dhe partisë së saj Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Përmes një zëdhënësi përpara ambasadës të enjten e 8 prillit, Kyaw Zwar Minn i kërkoi qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të mos njohë ambasadorin e sapoemëruar të juntës ushtarake dhe t’i dërgojë përsëri në Myanmar.

“Kishte një grusht shteti në Myanmar në shkurt. Tani është e njëjta situatë në Londrën qendrore”, tha ai.

Raportohet se policia u thirr për të ndaluar rikthimin e stafit në ndërtesë. Protestuesit u mblodhën jashtë, pasi u përhap lajmi se ambasadori ishte mbyllur në makinë.

Sipas Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, puna e një ambasadori përfundon zyrtarisht pasi të jetë informuar vendi pritës.

Zyra e Jashtme konfirmoi se ka marrë njoftimin dhe se “duhet të pranojë vendimin e marrë nga qeveria e Myanmar-it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore