Lajme

“Ky është popullizmi, ky është rreziku”, PSD i reagon qeverisë Kurti për marrëveshjen për energjinë


Nol Nushi, aktivist në PSD

“Pra, nga viti 2013, qenkan dashur 9 vite kohë, qindra arrestime e lëndime të aktivistëve, qindra tubime e takime, mijëra fjalime populliste, qindra premtime elektorale, që në fund të nënshkruhet e njëjta marrëveshje me Serbinë”.

Kështu ka nisur reagimin e tij, Nol Nushi, aktivist i Partisë Social Demokrate, ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike.

“Kjo nuk është thjesht hipokrizi, as thjeshtë humbje kohe. Kjo është mungesë guximi politik e mungesë njerzillëku”, ka shtuar Nushi në llogarinë e tij në Facebook.

Për Nushin kjo marrëveshje është Kristal e qartë”, si marrëveshje për avancim të autonomisë së Veriut.

“Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dalur në sipërfaqe”.

“Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër”, ka theksuar Nushi.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka thelbin tek kjo natyrë politike. Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiç”.

Nushi kujton që PSD të ketë thënë “në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike”.

Përmes kësaj marrëveshjeje, sipas aktivistit të PSD-së, Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës.

“Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbeten vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë”, ka shkruar Nushi.

“Përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëveshjeve përmes pjesëve të ndryshme. Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty”.

“Ky është popullizmi”, thotë Nushi.

“Ky është rreziku”.

“Pushtetit të ri iu dashtë pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi”.

Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson, përfundon Nol Nushi, reagimin e tij publik në rrjete sociale.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Në anën tjetër Elektrosever, bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të Marëveshjes së 2013-s.

“Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë një kod identifikimi të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së) do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

“Brenda 21 ditëve pas paraqitjes së planit të investimit dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes së kërkuar për humbjet e rrjetit, ZRRE do të miratojë në parim planet, kostot dhe humbjet”, detyron pika e 7 e marrëveshjes.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore