Shqipëria

Ky është mandati im i fundit si kryebashkiak, thotë Veliaj


Gjatë komentit të Maratonës së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka pohuar ndër të tjera teksa po fliste për eventin sportiv se ky është mandati i tij i fundit.

“Ky është mandati im i fundit”, pohoi ai ndërsa tregonte për projektet e ardhshme të kryeqytetit.

Deklarata i jep udhë projeksionit të një kandidature potenciale për kreun e Qeverisë në zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë.

Erion Veliaj do të niste më 20 qershor zyrtarisht mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës.

Administratori i kryeqytetit u betua gjatë një ceremonie të organizuar në tarracën e godinës së bashkisë.

“Tirana sot nuk është shtëpia vetëm e shqiptarëve. Nga tani e tutje duhet të flasim nga një Tiranë që në dallim nga koha kur ne rriteshin, sot nuk hyn e del dot nga Tirana pa parë grupime turistësh. Dua që Tirana të jetë e të gjithëve. Kemi objektiva të prekshëm”, shprehej Veliaj gjatë fjalës së tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mandatoi më 2 qershor fitoren e tretë radhazi të Veliajt në kryeqytet.

Më 16 maj, kandidati i Partisë Socialiste, Erion Veliaj u mandatua për të tretën herë si administratori i kryeqytetit pas publikimit të rezultateve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ai regjistroi pas hapjes së 941 kutive, 158 mijë e 688 vota ose 54.69 për qind kundrejt kandidatit kryesor opozitar nga radhët e Bashkë Fitojmë Belind Këlliçi, i cili mori vetëm 100 mijë e 351 vota ose 34.58 për qind.

Kandidatët e tjerë kanë regjistruar respektivisht: Arlind Qori – 13 mijë e 835 vota, Roland Bejko – 12 mijë e 388 vota, Marko Dajti – 2 mijë e 807 vota, Lajla Përnaska – 2 mijë e 104 vota.

Veliaj ka regjistruar 27 mijë vota më shumë se të pestë kandidatët e tjerë të marrë se bashku (131 mijë e 485 vota).

Statistikisht, trendi i votave të kryebashkiakut të Tiranës nuk zbret poshtë 150 mijë votave prej tetë vitesh ose tre zgjedhjesh lokale.

Në vitin 2015, Erion Veliaj regjistroi një rekord prej 160 mijë e 235 votash. Në ato zgjedhje PS-ja si parti mori 108 mijë e 290 vota, ndërsa LSI-ja 54 mijë e 292 vota, që ishin 18.25 për qind të totalit të votave në koalicionin ASE.

Në zgjedhjet e vitit 2019 kundër kandidatit tjetër të Bindjes Demokratike, Veliaj siguroi 152 mijë e 230 vota, ose 8 mijë vota më pak se ato që fitoi në zgjedhjet lokale të 2015-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore