Lajme

Kuvendi voton projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë


Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji, pas një debati mes pozitës dhe opozitës, ka marrë 58 vota pro nga 61 veta sa kanë votuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndryshe nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka votuar pro, por ka abstenuar.

Konjufca ka deklaruar paraprakisht se e ka ndërmend të abstenoi, meqë do pres derisa komisioni parlamentar t’i përfshi në projektligj opinionet e Komisionit të Venedikut.

“Pasi i kam lexuar opinionet e komisionit të Venedikut, kam konstatuar që më duket korrekte që me qenë se vetë e kam dërguar në Komision të Venedikut të pres deri në përfshirën e këtyre opinioneve në lexim të dytë. Jam i bindur se komisioni funksional do t’i fus rekomandimet e Venecias. E ka aftësinë që t’i përfshi këto opinione”.

Për projektligjin ka folur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ai ka deklaruar se nuk bën të vazhdohet tutje, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë opinione kundërshtuese për këtë nismë të qeverisë.

“Nuk e di a po e lexojmë njëjtë adresimin e komisionit të Venedikut. Ky komision ngritë dilema për pavarësinë e këtij institucioni, për konventa ndërkombëtare madje edhe për Kushtetutën e Kosovës. Komisioni i Venedikut është kundër këtij ligji substancialisht”, deklaroi Selmanaj.

“Rekomandimet e Venedikut prekin gjithë konceptin e ligjit, substancën e tij. Prandaj, qeveria duhet ta tërheqë këtë projektligj kështu si është tani. Qeveria s’ka marrë dritë të gjelbër për këtë çështje, por dritë të kuqe. Nëse do të vazhdohet kështu, ne nuk do të mund të futemi në Këshillin e Evropës”.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se “do ishte mirë që të futemi në pako të reformave në drejtësi dhe t’i shohim disa modele që do ta fuqizonin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, duke e parë të panevojshme që Byroja të futet vetëm në votim, siç ndodhi.

“Sot është e rëndësishme konsensusi politik. E shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pres reflektim të qeverisë, nëse do bashkëpunim të opozitës”.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mirëpret bashkëpunimin me opozitën, veçse duhet të bëhet dallim mes Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë dhe Vetting-ut si reformë në drejtësi.

“Duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja për Konfiskim dhe Vettingu nuk janë e njëjta gjë. S’është mirë të fusim gjithçka në një thes. Duke e ditur që procesi i Vettingut merr kohë, i vetmi efekt është që të shtyhet Byroja, dhe kjo është gabim”.


Kuvendi ka votuar në lexim të dytë edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Projektligji ka marrë 60 vota pro, me kryetarin e Kuvendit që sërish ka abstenuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore