Lajme

Kuvendi miraton kodin e procedurës penale – parasheh suspendimin e zyrtarëve publikë me aktakuza


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës në seancën e të martës ka miratuar Projekt kodin e procedurës penale i cili parasheh suspendimin e zyrtarëve publikë ndaj të cilëve ka aktakuza të ngritura.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se miratimi i një  projekti të tillë ka për qëllim parandalimin e detyrës.

“Suspendimi i zyrtarëve publik nga detyra ka për qëllim që të parandalohet keqpërdorimi eventual duke ushtruar funksione dhe njësisht duke u përballur me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Haxhiu.

Ministrja ka përmendur edhe disa nga ndryshimet për gjykimin në mungesë.

“Është shtuar neni i ri i cili përcakton që nëse i pandehuri vullnetarisht dështon të paraqitet në seancë gjyqësore pasi të jetë informuar për datën nuk duhet të lejohet të vonoj procedurën. Në ato raste kur prokurori nuk mund të gjej një të pandehur pas përpjekjeve të arsyeshme gjykimi duhet të jetë në gjendje të mbahet sipas rrethanave të përcaktuara në nenin e propozuar”.

Por, bëri të ditur se këtu bëhet një dallim për gjykimin në mungesë për veprat e tjera përjashtuar ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës për të cilat jo domosdoshmërisht i pandehuri duhet  të jetë në seancën e parë.

Ardian Kastrati, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës reagoi për këtë pikë duke thënë se këto propozime janë të njëjtat që nga viti 2019.

“Si është e mundshme që tani këtij karvani po i prin një strukturë politike ta zëmë kur vije puna për suspendimin e zyrtarëve që i vihet aktakuzë ,e cila në fakt struktura politike nuk i ka votu të njëjtat propozime që kanë qenë në 2019”.

Ai shtoi “se këto ndryshime janë propozuar moti”.

E ministrja Haxhiu, ju kundërpërgjigj duke i thënë se nuk merret me “sojin” e deputetit Kastrati.

“Me ty nuk ja vlen as mu marrë, nuk humbi kohë të merrem me ty fatkeqësi qysh një deputet i tillë i thotë vetit deputet i Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.

E Kastrati i tha Haxhiut që e kishte rastin që të duket e njerëzishme dhe të kërkoj falje për dhunimin e institucionit të Kuvendit.

“Çka i ke bo këtu me gaz lotsjellës dhe me shfrytëzuar rastin me kërku falje kur i ke quajt kriminel njerëzit në këtë parlament, ju ke shqetësu familjet e tyre, ti zgjodhe me dal e ditur. Sa je e ditur vendos natyra jo ti”, tha Kastrati.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy projektligje tjera që janë propozuar nga Ministria e Drejtësisë me përkrahjen e grupeve parlamentare Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore