Kosova

Kuvendi miraton dy marrëveshje ndërkombëtare, krahas një mori pikave që nuk u votuan


Kuvendi i Kosovës

Më 59 vota për, asnjë kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ndërmarrjes Publike, Hortikultura për vitin 2020.

Deputetët po ashtu në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës me 84 vota për dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime, për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 si dhe

Gjithashtu me 80 vota për ka kaluar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+).

Mirëpo në fillim ky projektligjit nuk është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovë, për arsye pasi sipas tyre ky projektligj është miratuar në vitin 2020 dhe se zbatimi i tij ka filluar më herët

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se me kërkesë të deputeteve ka dërguar njoftime te shefat e Grupeve Parlamentare lidhur me dyshimet për projektin në fjalë.

Sipas tij, ky projekt është vazhdimësi i projekteve të Heras+. Ajo ka thënë se buxheti i këtij projekti është 2 milionë e 800 mijë euro.

“Zbatimi i Heras+ ka filluar në vitin 2020 ende pa qenë ne në Qeveri, por ne e kemi shprehur vullnetin që ta përkrahim këtë marrëveshje sepse është në interes të nivelit të lart arsimor”, ka thënë ajo.

Arbërie Nagavci

Ndërsa në anën tjetër Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në implementimin e kësaj marrëveshje ka një mori shkeljesh, porse për hir të miqësisë me Qeverinë austriake do të bëjnë përjashtim.

Deputetët gjithashtu kanë votuar pro ndryshimit të emrit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë.

Tashmë ky Komision do të ketë emërtimin Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Kuvendi nuk e ka miratuar Raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020. Për të kanë votuar vetëm 19 deputetë, 52 vota ishin kundër dhe 1 abstenim. Gjithashtu nuk pati kuorum për të votuar Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020, pasi në votim morën pjesë vetëm 57 deputetë.

Me 12 vota për, 59 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk ka miratuar as raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020.

Dritën e gjelbër nga deputetët nuk e mori as Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të pronës për vitin 2020. Për votoi vetëm 1 deputet, 58 ishin kundër dhe 2 abstenuan.

Raporti vjetor Financiar i Buxhetit të Kosovës për vitin 2020, është shtyrë për seancën e ardhshme shkaku i mungesës së kuorumit, pasi vetëm 57 deputetë morën pjesë në votim.

Miratim nuk mori as Raporti vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2020. Asnjë deputetë nuk votoi pro këtij Raporti, ndërsa kundër ishin 61 deputetë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit do të vazhdojë të jetë jo funksional. Kjo pasi Kuvendi nuk ka emëruar kryetarin dhe katër anëtarët e Bordit të OSHP-së. Kundër emërimit ishin 64 deputetë, ndërsa për votuan vetëm dy deputetë.

Kuvendi i Kosovës

Ndryshe me një minutë heshtje ka filluar seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës, për të nderuar njeriun që kontribuoi lirisë së Kosovës, senatorin nga radhët e partisë Republikane, Bob Dole, i cili vdiq në gjumë në moshën 98 vjeçare.

Kryekuvendari Konjufca, ka thënë se vepra e tij dhe kontributi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës mbeten të paharrueshme.

Derisa të gjithë deputetët janë ngritur në këmbë në nderë të senatorit Dole, Lista Serbe ka qëndruar ulur.

Gjithashtu para, nderimit të politikanit amerikan , Dole, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca bëri të ditur se Dragana Antonijeviç nga Lista Serbe e ka zëvendësuar ish-deputetin nga kjo parti, Ivan Todosijeviç i cili është i dënuar për vepër penale.

Në muajin gusht, Gjykata e Apelit në Kosovë kishte konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviç, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Senatori, Bob Dole i cili ndërroi jetë në moshën 98 vjeçare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore