Shqipëria

Kuvendi kërkon ndihmën e James Rubin për Komisionin e Dezinformimit


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një kërkesë të drejtpërdrejtë diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, në mënyrë që ky i fundit t’i adresohet Kuvendit të Shqipërisë, parlamentarëve shqiptarë dhe të ndihmojë në ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit.

Ky i fundit pritet të votohet në seancën e 4 prillit në Parlament, por gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, u votua vetëm nga mazhoranca për të çuar përpara procesin.

Nga opozita, ngritja e këtij Komisioni nuk u mbështet.

Në këto kushte, Nikolla i ka shkruar një letër Rubinit, duke argumentuar se Shqipërisë i mungon kuadri ligjor për të trajtuar ndikimin e dezinformatave ruse apo kineze.

Ndaj, ajo ka kërkuar ekspertizën e tij shumëvjeçare lidhur me këto çështje, përvojën e gjatë në fushë, për të mbajtur një fjalim dhe për të inkurajuar bashkëpunimin parlamentar në këtë proces.

Në letër Nikolla shkruan:

I nderuar zoti Rubin,

Po ju shkruaj në lidhje me mocionin e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin keqdashës të huaj, përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin e Kuvendit për krijimin e një komisioni të tillë dhe e përcolli për miratim në seancë plenare.

Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, dëshiroj t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Përvoja dhe njohuritë tuaja të vlefshme do të përfitonin shumë nga përpjekjet e komitetit për t’iu kundërvënë këtyre forcave.

Për më tepër, do të doja t’ju kërkoja t’i drejtoheni Parlamentit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet malinje të huaja. Fjalimi juaj do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe inkurajimin e bashkëpunimit në këtë çështje vendimtare.

Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj.

Sinqerisht,

Lindita NIKOLLA

Formimi i Komisionit

Konferenca e Kryetarëve ka pranuar një kërkesë të mazhorancës për ngritjen e Komisionit të posaçëm për Dezinformimin, ku pro formimit të tij kanë votuar vetëm deputetët e Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, grupi i Partisë Demokratike kërkoi më shumë kohë, në bazë të një kërkese nga kreu i grupimit të djathtë, Gazment Bardhi.

Megjithatë, mazhoranca nuk e ka pranuar këtë kërkesë dhe ka vendosur që ngritjen e Komisionit ta kalojë me votat e veta.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, ka folur në mbledhje e Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Çuçi iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve të opozitës, Flutura Açka e Jorida Tabaku.

“Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse”, theksoi ai fillimisht.

Më tej, shtjelloi se për faktin që vendi është vonë me këtë nismë, nuk mund të krijohen vonesa të tjera për votimin.

Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e katër komisioneve të tjera parlamentare (Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimi), me afat 1-vjeçar, sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë.

“Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA-s që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE-së ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE”, përmbylli Çuçi.

Me çfarë ka të bëjë Komisioni?

Ky komision, sipas Çuçit, do të ketë vëmendjen në koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Ai tha se dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike, ndërsa shtoi se ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme.

“Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo iniciative te mazhorancës. Por nuk është ky rasti. Për shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara”, shtjelloi Çuçi në fjalën e tij gjatë Konferencës së Kryetarëve.

Sipas Çuçit, dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike.

“Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posaçëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë”, vijoi.

Ngritjen e këtij komisioni, PS-ja e sheh si të domosdoshme, në fjalët e Çuçit.

Ai shpjegoi se do të bëhet një analizë e plotë të situatës.

“Mendoj se nëse ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve”.

Teksa, në mbyllje, tha se “s’mund të jemi ne imunë kur nuk janë SHBA-të apo vendet e BE-së. Është në nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni”.

Çfarë duhet pasur parasysh me dezinformim?

– Lajme të rreme (fake news): “rrëfime të rreme të ngjarjeve, të shkruara dhe të lexuara në faqet e internetit” sipas Fjalorit anglisht të Oksfordit. Qëllimi i lajmeve të rreme nuk është domosdoshmërisht të mashtrojë lexuesit ose të shkaktojë dëm.

– Keqinformim: Përmbajtja e rreme ose mashtruese e krijuar ose e shpërndarë jo domosdoshmërisht me qëllimin për të shkaktuar dëm, edhe pse rezultati i tij është dëmi.

– Dezinformim: Informacion i rremë ose mashtrues, të cilin përhapësit e përdorin qëllimisht për të shkaktuar dëm.

– Manipulimi i informacionit dhe ndërhyrja nga aktorët e huaj: një ndërhyrje e jashtme malinje, mjet i luftës hibride.

Sipas Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, ai është “një model sjelljesh kryesisht jo ilegale që kërcënon ose potencialisht ka një ndikim negativ në vlerat, procedurat dhe proceset politike. Ky aktivitet, i cili ka karakter manipulues, zhvillohet në mënyrë të qëllimshme dhe të koordinuar.

Aktorët e këtyre aktiviteteve mund të jenë shtetërorë ose joshtetërorë, duke përfshirë proxy (përfaqësues) të tyre brenda dhe jashtë territorit të përfshirë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore