Kosova

Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor me “avazin” e vjetër – Kurti mungon, s’formohet kuorumi  


Ilustrim

Kuvendi i Kosovës, të enjten e 12 shtatorit ka mbajtur seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor.

Ajo çfarë e karakterizoi gjithë këtë seancë plenare ishte mungesa e deputetëve menjëherë pas pauzës, gjë që e detyroi kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, ta shtyjë seancën për një ditë të pacaktuar.

Të enjten vazhdimi i seancë ishte paraparë të nis në orën 14:30 – pas pauzës së kërkuar nga deputetët, por ajo nisi me 30 minuta vonesë dhe me mungesë të deputetëve.

Në sallë ishin prezentë vetëm deputetët e mazhorancës, ndërkaq deputetët opozitar mungonin.

Lidhur me këtë situatë, kritika të shumta pati drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu.

Problemi me mungesat e deputetëve, në vlerësimin e tij vazhdon ta penalizojë punën e Kuvendit në vendim-marrje, por dhe në funksionimin e tij.

Thënë këtë ai u përkujdese të potencoi se ndëshkimet ndaj deputetëve për mungesë “janë minimale”.

“Deputetët sigurohen të nënshkruhen vetëm në fillim të seancave për të gëzuar mëditjet, dhe në shumë raste ata i braktisin ato para se të përfundojnë”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook, duke hedhur akuza edhe mbi partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shumica parlamentare e ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar kuorumin për mbarëvajtjen e seancave”, tha ai.

Kryeziu paraqiti edhe një statistikë ku prezantohej mungesa e deputetëve në sesionin paraprak të Kuvendit të Kosovës.

“Plot 525 mungesa të deputetëve ishin regjistruar në sesionin pranveror, ku Lista Serbe për shkak të  bojkotit ka bërë më së shumti mungesa (189), ndjekur nga LVV (140) dhe PDK (86), LDK (64) dhe AAK (13)”.

Ajo çfarë mori kritika në fillimin e këtij sesioni parlamentar ishte edhe mungesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Kryeqeveritari në këtë mënyrë po vazhdon t’i shmanget llogaridhënies ndaj Kuvendit duke mos marrë pjesë në seancë.

“Sot kur po mbahet seanca e parë e Kuvendit për sesionin vjeshtor 2024 ai nuk morri pjesë e as nuk u përgjigj në pyetjet parlamentare, njëjtë si në sesionin pranveror kur nuk u përgjigj në asnjë nga 36 pyetjet që deputetët kishin parashtruar për të”, shkroi Kryeziu në platformën sociale, Facebook.

Kryeziu kritikoi edhe opozitën parlamentare, meqë në vlerësimin e tij, ajo nuk morri mundin që asnjëherë gjatë sesionit pranveror të thërrasë kryeministrin në interpelancë.

“Pyetjet parlamentare dhe interpelanca janë një instrument parlamentar e demokratik për të mbajtur qeverinë përgjegjëse e llogaridhënëse si dhe për të siguruar transparencë në vendimet dhe zbatimin e politikave”.

Nga 29 pikat që kanë qenë në rend të ditës, deputetët gjatë seancës që ka zgjatur rreth tri orë kanë marrë vetëm një vendim, atë për zgjedhjen e Ilir Bytyqit për anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Në këtë seancë pritet të trajtoheshin disa pika që nuk kanë arritur të miratohen gjatë sesionit pranveror.

Një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Ky projektligj shkaktoi interes të madh dhe debate të shumta gjatë diskutimeve të mëparshme.

Gjithashtu, një tjetër projektligj në rend dite ishte ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Kuvendi i Kosovës, gjatë të enjtes, do të duhet shqyrtonte edhe projekt-rezolutën që ka për objektiv adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), ndërsa një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i një projekt-deklarate që synon të adresojë raportet e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara (SHBA) pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore