Kosova

Kuvendi i Kosovës mban seancë më 20 shtator


Kuvendi i Republikës së Kosovës

20 shtatori i këtij viti është data kur Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës, ndërsa brenda pikave të rendit të ditës do të jetë projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, ai për parandalimin e korrupsionit si dhe formimi i Komisionit “Ad-Hoc”, për përzgjedhjen e tetë kandidatëve anëtarë nga komuniteti shqiptar e një nga komuniteti serb për Bordin e RTK-së.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ishte ajo që e zbuloi datën e rikthimit të punimeve në Kuvendin e Kosovës.

Mimoza Kusari Lila – u.d e shefes sëGrupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Seanca e radhës do të jetë më 20 shtator, pas një jave pra. Arsyeja pse është kërkuar, është që të jetë prezent kabineti qeveritar, pasi që të enjten më 16 shtator, është paraparë takimi i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Jemi dakorduar që seanca e re plenare të jetë e re, ndërsa për vazhdimin e pikave të seancave të kaluara, do të dakordohemi në mbledhjen e radhës të Kryesisë nëse do të mbahet seancë e re apo vazhdim i seancës”, ka thënë u.d. e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndryshe, rreth funksionimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, së fundmi ka reaguar edhe Shoqëria Civile, e cila ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të punojnë më intenzivisht në realizimin e agjendës së sesionit vjeshtor.

Njohësi i çështjeve politike, Shemshi Jashari, ka thënë se Kuvendi do e ketë më të vështirë punën për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Shemsi Jashari – Njohës i çështjeve politike.

Por gjithsesi, ai pret që deputetët të tregohen më të përgjegjshëm ndaj detyrës së tyre zyrtare.

“Po nëse shohim sesionin pranveror nuk ka qenë efikas, i kemi vetëm shtatë ligje të miratuara dhe mbi 100 projektligje që presin të miratohen, dhe mendoj që është e udhës që Kuvendi t’i kthehet punës. Është dashtë që Kuvendi t’i shkurtoj pushimet për shkak të pandemisë”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, përmes një përgjigje me shkrim, aktivistja, Flutura Kusari, ka potencuar se Kuvendin e pret një agjendë jashtëzakonisht e ngjeshur, me një numër të madh të ligjeve që presin të procedohen.

Flutura Kusari – Aktiviste.

“Shpresoj që deputetët nuk do ta shndërrojnë seancat plenare në teatro që ofron shfaqje argëtuese për publikun, siç ndodhë shpesh, por që do ta trajtojnë Kuvendin si institucioni më i rëndësishëm në vend që përfaqëson popullin”, theksoi Kusari.

Ajo tha se Kuvendi po ashtu do të zhvillojë shumë procedura rekrutuese si përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovë, Komisionit të Pavarur për media, “e këto procese duhet të bëhen në mënyrë sa më transparente dhe profesionale, në mënyrë  që pozitat t’i marrin ata që e meritojnë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore