Shqipëria

Kuvendet mbaruan, dueli Berisha-Basha ende jo


Kuvendi berishian i datës 11 dhjetor, kulmoi me shkarkimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike.

Kuvendi i PD-së më 18 dhjetor, u finalizua me përjashtimin e Sali Berishës nga organet drejtuese të të djathtëve.

Në një shkarkim të ngjashëm dhe të kundërt dypalësh, dy Kuvende të ndryshme, me qëllim thuajse të njëjtë – përjashtimin e dikujt nga një post i caktuar brenda forcës politike – u përmbyllën.

Por, ndërsa Kuvendet janë tashmë pjesë e së shkuarës politike dhe e diskutimit aktual politik, një ditë më pas, demokratët, ende nuk e gjejnë veten në pozita të qarta.

Kampi blu, vijon të jetë i ndarë.

Nga njëra anë, është pjesa institucionale, të cilën Basha e kontrollon më së miri.

Nga ana tjetër, është ajo e dikur-foltoreve, sot “rrugoreve” ose “shkallareve” të Berishës, i cili edhe pse nuk futet në godinë, arrin të mbledhë mbështetës në oborrin demokrat.

Lëvizjen e parë gjithsesi, as 24 orë pas përmbylljes së Kuvendit Kombëtar, e sjell kreu aktual demokrat, Lulzim Basha.

Këshilli Kombëtar

Ashtu siç e kërkon edhe procedura, organi më i lartë vendimmarrës brenda Partisë Demokrati, Këshilli Kombëtar, pritet të mblidhet rreth mesditës së sotme.

Qëllimi parësor, do të jetë rishikimi dhe vula përfundimtare, për vendimet që ka marrë Kuvendi i 18-ës.

Dy, janë ato më kryesorët.

I pari, lidhet me përjashtimin statutor të çdo personi të përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit. Këtu, përfshihet drejtpërdrejt edhe ish-kryeministri, Sali Berisha. Pra, me dorën lart të votëbesimit në Këshill, Berisha mund të jetë zyrtarisht i përjashtuar nga organet drejtuese në PD.

Vendimi i dytë shumë me rëndësi, është shpallja nul e Kuvendit të datës 11 dhjetor, i thirrur nga Berisha.

Ky Kuvend, për Bashën, ka qenë a priori nul. Por, një vendim përfundimtar statutor dhe i kaluar në Këshill, do t’i jepte goditjen përfundimtare, atij që kryedemokrati dhe të tjerë, e kanë përshkruar si “tubim”.

Vetë Berisha, me Kuvendin që mblodhi – nëse legjitimohet – ka shpallur nul çdo vendim të marrë nga Basha dhe baza demokrate pas datës 11.

Pra, nëse realisht Kuvendi i Berishës – tashmë në Gjykatë – legjitimohet, ai zhbën çdo vendim të Kuvendit të Bashës. Këtu, përfshihet edhe përjashtimi i Berishës apo pavlefshmëria e Kuvendit të tij.

Si organ organizues, Berisha ka ngritur atë, të cilin ai e quan “Komision Rithemelimi”.

Mirëpo, ky Komision, nuk ka fuqi mbi Këshillin, si organin më të lartë brenda demokratëve. Ndaj, duhet parë se si çështja zgjidhet juridikisht.

Rruga berishiane

Sali Berisha, në një lloj mënyrë, e ka mbyllur çështjen e PD-së. Ai referendumin e quan të përmbushur. Shkarkimin e Bashës, plebishitar. Ristrukturimin e partisë, çështje kohe.

Ndaj, nga e hëna, ai i kthehet rrugës së tij më të parapëlqyer në karrierën 31-vjeçare politike – rrugës.

Berisha ka thirrur të hënën e 20 dhjetorit një protestë. Ajo nuk lidhet më me Bashën. Ajo lidhet me kryeministrin, Edi Ramën.

Më saktësisht, ajo lidhet drejtpërdrejt me nismën rajonale “Open Balkan” dhe përkon pikërisht me vizitën e presidentit serb, Alexander Vuçiç, në Tiranë, në kuadër të nismës.

Sipas Berishës, vendimi për “Ballkanin e Hapur”, është një lëvizje penalizuese për Shqipërinë. Madje, në fjalët e tij, ai e ka quajtur shpesh “një lëvizje pro-serbe me rrënjë millosheviçiane”.

Për këtë, vëmendja e ish-kreut të PD-së, do të zhvendoset për nga kryeministri Rama. Person, me të cilin Berisha është përballur dy herë në zgjedhje të përgjithshme.

Gjithsesi, pavarësisht faktit se vëmendja e Berishës do të jetë për nga Rama, ajo e Ramës duket se nuk është më për nga Berisha.

Kreu i Qeverisë, në më shumë se një rast, ka theksuar se “nuk do të merret me dy kufoma politika” (referuar Bashës e Berishës).

Por, si mikpritës i takimit, një protestë masive e Berishës, mund të kishte ndikim tek ai vetë.

Me dy Kuvende të konsumuara në shtatë ditë, situata brenda PD-së mbetet e paqartë.

Veprimet zhvillohen të ditë pas ditshme dhe ndjekin njëra-tjetrën.

Përmbyllja e “duelit” sakaq, duket ende e largët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore