Shqipëria

Kushtetuesja shfuqizon disa masa disiplinore të rregullores së re të Kuvendit


Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e 45 deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve ligjore tek Rregullorja e Kuvendit, të miratuara nga mazhoranca dhjetorin e vitit 2023.

Në vendimin e zbardhur sot, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë pikën që parashikonte përjashtimin nga seanca plenare me 10, 20 apo 30 ditë të deputetëve, kur ata ushtrojnë  dhunë ndaj deputetëve të tjerë, duke lënë në fuqi masën 10 ditë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo pikë e nenit 65/1 mund të përdoret në mënyrë arbitrare nga ligjvënësit, duke masa të ndryshme ndëshkimore për raste të ngjashme. Po ashtu, kur deputeti përdor lëndë piroteknike, tymuese ose bojëra është lënë në fuqi masa e përjashtimit 60-ditore. Gjithashtu, është shfuqizuar dhe pika, që caktonte përjashtimin e deputetëve për një kohë të caktuar nga të gjitha veprimtaritë parlamentare.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e zbardhur prej saj, mori fillimisht në shqyrtim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e dispozitave objekt kërkese.

Duke qenë se pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, në thelb, kanë të bëjnë jo vetëm me të drejtat e deputetit si individ, por me ushtrimin e funksionit të tij si përfaqësues i popullit, Gjykata, me nismën e saj, vlerësoi ta shohë çështjen në drejtim të respektimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, që parashikon ushtrimin e sovranitetit të popullit përmes përfaqësuesve të tij, si dhe parimit të proporcionalitetit, në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së masave disiplinore, dhe për këtë shkak, arriti në përfundimin, njëzëri, se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e çështjes konkrete në kuptim të ruajtjes së parimeve dhe vlerave kushtetuese, mbrojtja e të cilave është funksioni kryesor i kësaj Gjykate.

Në përfundim, Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, duke shfuqizuar disa dispozita të Rregullores së Kuvendit:

Njëzëri, Gjykata Vendosi të shfuqizojë nenin 65/1, pika 6, shkronja “a”, me përmbajtje: “kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve”, për shkak të paqartësisë së kësaj norme, e cila mund të çojë në arbitraritet në zbatimin e saj, pasi për të njëjtat shkaqe (dhuna ndaj deputetëve) është parashikuar nga i njëjti nen edhe masa displinore me 10 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare’.

Po ashtu njëzëri, nenin 65/1, pika 7, shkronjat “b” dhe “c”, shfuqizohen.

Në lidhje me shkronjën “b” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje: “kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal”, Gjykata vlerësoi se ai mbart paqartësi në formulim në lidhje me dyshimin për elemente të veprës penale. Në lidhje me shkronjën “c” të pikës 7 të nenit 65/1, me përmbajtje “kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6”, Gjykata vlerësoi se masa është joproporcionale në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së saj.

Po ashtu në kuadër të parimit të përfaqësimit, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash shfuqizimin e nenin 65/1, pika 9, me përmbajtje: “Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore, deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.”, pasi ai përbën një masë të re disiplinore në kontradiktë me vetë titullin e këtij neni “Masa e përjashtimit nga komisionet dhe seanca plenare”, duke parashikuar shtrirjen e masës edhe në veprimtari të tjera parlamentare, të cilat parashikohen të listuara në nenin 40 të Rregullores së Kuvendit.

Në dhjetor të vitit 2023, ishin 45 deputetë të opozitës që nënshkruar padinë për të kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara më 14  dhjetor nga Kuvendi, ku parashikohej ashpërsimin e dënimit të deputetëve që ndiznin tymuese në sallën e seancave plenare, duke i pezulluar me mos pjesëmarrje në seancë plenare për një periudhë 2 mujore.

Në kërkesën e deputetëve të opozitës thuhet se, dispozita e Rregullores që vendosin përjashtimin për 30-60 ditë të deputetit, duke i ndaluar edhe të kryejë çdo lloj veprimtarie si anëtar i Parlamentit shkel në mënyrë flagrante një sërë të drejtash që deputetit i garantohen nga Kushtetuta dhe ligji. Praktikisht, sipas tyre, kjo dispozitë nënkupton pezullimin e deputetit nga detyra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore