Shqipëria

Kushtetuesja i lë afat palëve për taksimin e profesioneve të lira, vendimi më 25 qershor


Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ti lërë një afat deri në 21 qershor ankimuesve, që kërkojnë pezullimin e ligjit “Për tatimin e profesionistëve të lirë”, që të paraqesin argumente shtesë, pasi nga padia e depozituar nuk evidentohen pasoja të pariparueshme.

Vendimi përfundimtar nëse do shfuqizohet apo jo ligji ‘Për tatimin e profesionistëve të lirë’ do të merret në 25 qershor.

Seanca e 18 qershorit në Kushtetuese ka zgjatur 7 orë, ndërsa Gjykata vendosi të refuzojë miratimin e kërkesës për shfuqizimin e pjesshëm të disa e neneve në ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Ankimuesit kërkuan shfuqizimin e ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ata parashtruan në seancë rastet se si ka ndikuar ky ligj në mbylljen e qindra bizneseve, ndërkohë që ngritën pretendimet se ai cenon sigurinë e tyre.

Ankimuesit kanë deklaruar se tatimi në Shqipëri është në normën më të lartë krahasuar kjo me vendet e Rajonit dhe BE-së, ndërsa i trajton profesionet e lira si biznese tregtare, edhe pse të parat nuk e kanë të garantuar normën e fitimit.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ftoi përfaqësuesit e palëve paditëse (3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë PD, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM) dhe “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave e Këshillit të Ministrave të paraqisnin provat shtesë brenda ditës së premte (21 qershor 2024).

Ndërkohë, në fund u vendos që seanca e radhës, ku pritet të jepet edhe vendimi të zhvillohet më 25 qershor, ora 10:00.

Që prej orës 10:00 të mëngjesit, u dëgjuan argumentet e 3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, padia e Shoqatës së “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” dhe Shoqatës së “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u padit fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të miratuar me votat e mazhorancës duke vënë theksin në atë se “Tatimi cenon sigurinë juridike”.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se “koncepti kryesor që po diskutojmë sot është se duhet të mbrojmë punën dhe shtresën e mesme”.

“Ligji për Tatimet është ndryshuar 23 herë, duke krijuar pasiguri dhe trajtim preferencial për një grup që është duke u hequr nga taksat. 106 profesione të lira janë duke paguar një trajtim të padrejtë. Ky ligj është antikushtetues dhe ka trajtim preferencial. Do të ketë efekt bumerang të rritjes së çmimeve. Ligji është bumerang i qeverisë, favorizimi i pakicës dhe goditja e shumicës”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore