Kosova

“Kushtet në polici janë përmirësuar”, thotë Kurti


Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla

Ndonëse për herë të parë në këtë qeverisje Njësia Speciale u detyrua që të protestojë, e për herë të parë Policia e Kosovës kishte mbetur pa shtesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kushtet në Policinë e Kosovës s’kanë qenë asnjëherë më të mira sesa tani.

“Kur kemi marrë detyrën si Qeveri, buxheti për Policinë e Kosovës ka qenë 91 milionë euro. Sot është për gati 50% më i lartë (135 milionë euro). Si rezultat i kësaj, kushtet e punës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë më të mira”, ishte deklarata e kryeministrit në ceremonin e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se nga buxheti që ka pasur policia tashmë i njëjti është rritur për 50 për qind.

“Brenda periudhës tre vjeçare, kemi investuar afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, 7.8 milionë euro në blerjen e 320 automjeteve dhe autoblindave të reja. Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë mbështetjen institucionale që meriton”, ka deklaruar Kurti.

Kurti, ka kujtuar 23 zyrtarët policorë që kanë rënë në krye të detyrës duke thënë se janë dëshmi e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve.

Diplomimi i gjeneratës së 60-të në Policinë e Kosovës.

“Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim”.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndihet shumë i lumtur dhe krenar që ndodhet në mesin e policëve të rinj, duke e vlerësuar këtë rast si arritje të përbashkët të Republikës.

“Policia jonë me ritme të shpejta po plotëson dhe forcon radhët e saj, duke ua hapur dyert qindra djemve dhe vajzave, nga secili komunitet, që kanë ëndërruar e punuar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës. Shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë rezistencën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri dhe për shtetndërtim”.

“Profesionalizmi dhe shërbimi me përkushtim i policëve tanë, të cilëve ju bashkoheni nga sot edhe ju kadetë, ka arritur të ngrisë Policinë e Kosovës në institucionin me besimin më të madh qytetar, e konfirmuar kjo edhe në raportet e matjet e instituteve kredibile vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ka pohuar se janë duke u angazhuar që policia t’i ruajë vlerat e saj.

“Si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme, po punojmë maksimalisht që policia jonë të ruajë dhe promovojë vlerat e saj më të mira, të cilat krijojnë lidhjen e pashkëputshme me qytetarët tanë. Puna me nder e dinjitet, integritet e profesionalizëm, le të triumfojnë në çdo ditë të angazhimit tuaj, teksa shërbeni për të gjithë dhe pa dallim”.

Që nga përfundimi i luftës së fundit, 23 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, kurse rasti i fundit ka qenë në vitin 2023.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Për herë të parë pas 15 vjetëve, policët mbetën pa shtesa për rrezikshmëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore