Lajme

Kush është Francesco M. Talo – këshilltari i lartë i kryeministres së Italisë i caktuar për dialogun Kosovë-Serbi?


Francesco M. Talo

Kosova të premten do të mbushet me top-diplomatë nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, u bë e qartë se dialogu Kosovë- Serbi do të ri-aktualizohet përsëri.

Mu për këtë qëllim Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian dhe Gabriel Escobar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, por ata nuk do të jenë vetëm në këtë udhëtim, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media në Bruksel.

Lajçak e Escobar në këtë vizitë do të jenë “të shoqëruar nga këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministres italiane”.

Emmanuel Bonne e Jens Ploetner, njëri si përfaqësuesi i presidentit të Francës e tjetri si përfaqësuesi i kancelarit të Gjermanisë, patën vizituar Kosovën në muajin shtator të vitit të kaluar, duke sjellë me vete kështu edhe propozimin franko-gjerman, të cilën Albanian Post e kishte publikuar pjesërisht më 18 shtator e ndërsa tërësisht më 12 nëntor.

“Fytyra e re” e cila do ta përforcojë korpusin diplomatik, të cilët janë të angazhuar për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jetë diplomati Francesco M. Talo, këshilltari i kryeministres së Italisë, Giorgia Melini, për politikë të jashtme.

Talo është emër me peshë në diplomacinë italiane.

Ai ka qenë ish-përfaqësuesi i Italisë në NATO dhe ish-ambasador i Italisë në Izrael.

Ndonëse Italia deri më tani nuk ka qenë e përshirë në mënyrë direkte në procesin e dialogut, qeveria e re italiane përmes diplomatit Talo do të tentojnë të mbështesë Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij në kuadër të procesit të bisedimeve.

Mu për këtë arsye i njëjti gjatë ditës është takuar me Këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, i cili gjatë javës së kaluar ishte në një vizitë zyrtare në Kosovë e më pastaj në Serbi.

“Ne diskutuam qëllimet e përbashkëta të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Mesdheun e madh”, ka shkruar Chollet në rrjetin e tij social në Twitter, duke njoftuar kështu takimin me diplomatin italian Talo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore