Film

Kush do e marrë Luanin e Artë në Venezia?


Jane Campion, Pedro Almodovar, Paolo Sorrentino.

Të tre regjisorët me famë botërore janë në garë për të marrë të shumëlakmuarin “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Venezia, i cili zhvillohet në datat 1-11 shtator.

Edicioni i 78-ë i festivalit prestigjioz, do të shfaqë në ekranin e madh 21 filma. “Madres Paralelas” (Nënat Paralele” i Pedro Almodovar, do të hapë festivalin. Ylli i kinematografisë botërore, Penelope Cruz, luan edhe rolin kryesor në këtë film.

Përtej shfaqjes si i pari në festival, “Madres Paralelas” cilësohet edhe si favorit për fitimin e Luanit të Artë.

Në ndjekje të tij, është Campion, i cili i rikthehet kinematografisë për herë të parë që prej vitit 2009.

Filmi “The Power of the Dog”, bazohet në një fermë në Montana, SHBA. Në rolin kryesor, do të jetë Benedict Cumberbatch, me në rol mbështetës Kirsten Dunst.

Një novelë e Elena Ferrante, “The Lost Daughter” (Vajza e Humbur), do të sillet në ekran nga një debutuese në regji, Maggie Gyllenhaal. Aktorja ka vendosur që këtë herë, të garojë në pozitën e prapa kamerave.

Pesë filma italianë do të jenë pjesë e Venezias – rekord për pjesëmarrjen italiane. Ndër to, më favoriti mendohet ai i Sorrentinos, “E stata la mano di Dio” (Ishte dora e Zotit).

Pjesëmarrës do të ketë këtë vit edhe nga Franca, Argjentina, Kili, Filipinet, Polonia, Rusia, Ukraina dhe Venezuela.

Pjesë e jurisë këtë vit do të jetë edhe fituesi i çmimit Oscar për vitin 2020, Bong Joon-ho. Me filmin “Parasite”, ai nuk arriti të merrte Luanin e Artë, të cilën e rrëmbeu “Joker”, nga regjisori Todd Philips.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore