Kosova

Kusari: Plani franko-gjerman duhet të finalizohet me njohje reciproke


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pranimin e planit franko-gjerman e konsideron si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme.

Sipas Kusarit, plani franko-gjerman për Kosovën është një proces i cili duhet të finalizohet me njohje reciproke.

“Kryeministri edhe Presidentja tashmë janë deklaruar që ky plan ka paraqitur një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe ideja në këtë rast e Republikës së Kosovës është që ky proces duhet domosdoshmërisht të finalizohet me normalizim të plotë dhe njohje të ndërsjellët”.

“Prandaj, edhe Kosova ka shprehur gatishmërinë që të jetë pjesë aktive e negociatave në mënyrë që të realizohet ajo që është pritur për shumë vjet”, thotë ajo për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ajo kritikuese është paraqitur sa i përket mbarëvajtjes së dialogut ndër vite.

“Disa prej marrëveshjeve që janë bërë nuk kanë qenë në favorë të Kosovës për këtë arsyeje ato sjellin ngecje në proces, për arsye që tash më duhet në procedurë të zbatimit të shikohen mundësitë brenda hapësirës së modifikimit”.

Me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Kusarit-Lilës Kosova do të vazhdojë rrugën e saj për t’u anëtarësuar në organizatat evropiane.

“Ndërsa edhe procesi në kredibilitet ka pasur lëndime serioze deri në vitin 2019 dhe po shpresojmë që sa më parë që është e rëndësishme në veçanti për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës të arrihet marrëveshja për normalizim dhe Kosova të vazhdoj në rrugën e saj për integrimin evropian”.

Shefi i Qeverisë, Albin Kurti, pas takimit me ndërmjetësuesin e bisedimeve, Miroslav Lajçak, ditë më parë deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Pas “Po”-së Kurtit, i pari i cili përgëzoi atë ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në Twitter shkroi se “marrëveshja e përkohshme [propozimi franko-gjerman] do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media, tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin franko-gjerman, sepse top-diplomatët evropiano-amerikanë që i shkuan në zyrë javë më parë ia bënë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

“Po t’i kisha hedhur [planin franko-gjerman] dhe të thosha se nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja tjetër që do të na ndodhte është që nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, kishte thënë Vuçiç, duke shtuar se ai nuk do të pranonte të ishte presidenti që udhëheq një vend të izoluar.

Ndonëse Vuçiç’i nuk e ka thënë ende fjalën e tij të fundit, opinioni publik në Serbi këtë deklaratë të tij, menjëherë pas takimit me diplomatët ndërkombëtarë, e kishte interpretuar si pranim i planit.

Pranimi i propozimit franko-gjerman pason me një takim Kurti-Vuçiç, çfarë pritet të ndodhë?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore