Lajme

Kusari, Lajçak-ut: Shumëçka ka ndryshuar pas 24 shtatorit


Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes se kryesisë ka reaguar ndaj deklaratës së emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili të shtunën para mediave tha se 24 shtatori s’ka ndryshuar asgjë.

Kusari-Lila, para gazetarëve potencoi se shumë gjëra kanë ndryshuar pas kësaj date dhe asgjë s’mund të vazhdoj njësoj në procesin e dialogut.

“Sa i përket deklarimit të zotërit Lajçak, ndoshta më e rëndë është deklarata se asgjë s’ka ndryshuar pas datës së 24 shtatorit, pasi që shumëçka ka ndryshuar pas kësaj date. Është qëndrim edhe i udhëheqësisë e po ashtu edhe i opozitës në Kosovë, se nuk mund të vazhdojmë sikur kemi pasur trajtimin e njëjtë”.

“Natyrisht se Kosova, ka treguar gatishmëri për pjesëmarrje në dialog me konstruktivitet dhe me obligime që janë të njëjta për të dyja palët përfshirë këtu edhe dakordimin për marrëveshje paraprake”, ka deklaruar ajo.

Tutje, ajo 24 shtatorin e ka quajtur si “kthesë të rëndësishme”, por që s’është për të mirë.

“Ne jemi të qëndrimit se 24 shtatori, ka shënuar një kthesë të rëndësishme dhe fatkeqësisht jo për të mirë në procesin e dialogut dhe sigurisht që kërkojmë llogari nga ata që kanë qenë dhe mbetën të angazhuar në sulm ndaj Republikës sonë dhe po ashtu një rikonfigurim të një procesi në të cilin njëra palë dukshëm mendon se ushtrimi i dhunës dhe cenimi i sovranitetit dhe integritetit territorial janë pjesë e këtij procesi dhe ne natyrisht që s’mund ta pranojmë atë”.

Ndërsa, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosovës do të ketë tri seanca.

“E para seancë është ajo e 26 tetorit, një seancë që do të trajtoj pikat e papërfunduara nga dy seanca të tjera. Në po të njëjtën ditë do të filloj një seancë tjetër kërkesë e deputetëve të opozitës me 41 nënshkrime, e cila do të trajtoj një rezolutë me koeficientin e pagave në sektorin publik”.

Po ashtu, seancë do të mbahet edhe për rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian.

“Përderisa kryesia është dakorduar për seancë edhe të premten në këtë seancë do të diskutohet dhe do t’i jepet mbështetje rezolutës së miratuar në Parlamentin Evropian, lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit”.

Për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se janë duke biseduar me opozitën pasi që bëhet fjalë për një buxhet të madh që përfshijnë këto marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore