Kosova

Kurti, Vuçiç dhe Dodik në kërkim të Pushtetit të Fshehtë


Foto nga Albanian Post

Nuk është as lajm i mirë, as lavdërim, nëse kryeministrin e takon shefi i CIA-s, kur institucionet demokratike e kanë të deleguar ambasadorin amerikan në Prishtinë.

Ndaj, më erdhi keq se sa pavetëdijshëm u trajtua publikisht kjo vizitë e William J. Burns.

Pyetja është: pse shefi i CIA-s vendos të takojë liderët e Bosnjës, Serbisë dhe të Kosovës, në një kohë kur demokracia dhe transparenca duhet të jenë shtyllat e politikës moderne.

Është qesharake se si nuk kuptohet që vizita e Burns nuk përbën shenjë të mirë për Demokracinë institucionale dhe për fat të keq të gjithë janë dhe bëhen të lumtur kur e shohin shefin sekret të gjithëfuqishëm.

Ai është vetëm një njeri që udhëheq një institucion të dal nga e njëjta Demokraci.

Po pse e shohin zotin ne trupin e tij?

Sepse. disa liderë në Ballkan ende preferojnë biseda të fshehta dhe manovra të errëta për të forcuar pushtetin e tyre.

Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik dhe Albin Kurti, këta vëllezër politik, përpiqen të navigojnë mes dyerve të mbyllura të shërbimeve të inteligjencës, duke kërkuar marrëveshje të fshehta në vend të negociatave të hapura dhe institucionale.

Të rrethuar nga ambicie dhe paranojë, duket se besojnë që fuqia reale nuk qëndron tek institucionet tjera demokratike, pos tek ato që operojnë në hije.

Ballkani gjithmonë ka qenë një terren pjellor për teori konspirative dhe ambicie të fshehta të liderëve që luajnë në sfondin e një politike komplekse dhe të trazuar. Figurave si Albin Kurti, Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik shpesh u atribuohet një prirje për të manipuluar me skenarët e errët të inteligjencës, duke parë çdo veprim diplomatik si një lojë të orkestruar nga forcat e fshehta.

Këta liderë, të cilët në publik jo rrallë mbajnë pozicione të forta nacionaliste ose autokratike, përshkruhen nga skeptikët si njerëz me ambicie të padeklaruara për pushtet absolut dhe kontrolle në hije. Ata janë produkt dhe aktorë të një mjedisi ku politika e jashtme nuk bëhet vetëm përmes institucioneve, por edhe përmes lojërave të inteligjencës dhe marrëveshjeve sekrete.

Pikërisht në këtë sfond të mbushur me paranojë dhe teori-ra, vjen vizita e drejtorit të CIA-s, William J. Burns, i cili përshëndeti Albin Kurtin në një takim të pazakontë me dorën në xhep – një gjest që bie në sy për informalitet dhe që për shumë mund të jetë një simbol i një mosrespekti të fshehtë ndaj liderit të Kosovës, duke e vendosur atë në të njëjtën kategori me udhëheqës të tjerë rajonalë që veprojnë sipas agjendave të tyre sekrete.

Në botë, një shembull i ngjashëm mund të shihet në vizitën e Burns në Moskë përpara pushtimit të Ukrainës. Në atë rast, Burns u dërgua për të dërguar një mesazh të qartë Vladimir Putinit – një lider i njohur për përdorimin e shërbimeve të inteligjencës për të forcuar pushtetin e tij brenda dhe jashtë vendit. Vizita e Burns në Moskë kishte të njëjtën nuancë konspirative, ku loja e politikës së jashtme duhej të luhej më shumë në errësirë sesa në dritën e diplomacisë tradicionale.

Kjo logjikë e konspiracionit, e ngritur në institucione të dobëta demokratike dhe me liderë që shpesh shohin veten si figura qendrore të një loje gjeopolitike të fshehtë, është ajo që mbush mendësinë e Kurtit, Vuçiçit dhe Dodikut. Ata shohin në takimet me figura si Burns mundësi për të zgjidhur çështje përmes kanaleve të padukshme, duke anashkaluar institucionet formale, dhe duke treguar se loja e vërtetë politike bëhet larg syve të publikut.

Vizita e drejtorit të CIA-s, William J. Burns, në Ballkan tregon qartazi se këto vizita janë fokusuar në qendra ku rreziku i destabilizimit dhe ndikimi rus është më i fortë.

Në Kosovë, Burns u takua me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, të cilët, me gjase, përfaqësojnë një qeveri pro-perëndimore dhe më të hapur ndaj institucioneve demokratike, të paktën në raport me Vuçiç-in e Dodik-un.

Megjithatë, Kurti njihet për qëndrimet e tij të ashpra dhe kinsepërplasjet me Serbinë duke shkuar përtej mundësive te tij, të cilat kanë tensionuar situatën në veri të Kosovës. Prania e Burns mund të jetë një përpjekje për të adresuar këto tensione, duke siguruar që situata të mos eskalojë në një krizë më të madhe rajonale sepse liderët e Kosovës lehte mund ta bëjnë punën ruse.

Duke destabilizuar veriun, në një mënyrë a tjetr ka rrezikuar ushtarë amerikanë në rast konflikti.

Në këtë mënyrë Kurti ndërhynë direkt në zgjedhje amerikane duke e bërë vrasjen e mundshme të një ushtari si temë zgjedhore amerikane. Kjo do te ishte katastrofë për një vend të vogël si Kosova.

Në këtë kontekst, vizita e drejtorit të CIA-s në Serbi, Bosnjë dhe Kosovë mund të interpretohet si një përpjekje për të menaxhuar pikat e nxehta në Ballkan, ku ndikimi i Rusisë dhe tendencat autokratike janë më të fuqishme.

Kurse, mosprania e Shqipërisë në këto takime mund të interpretohet si një sinjal se SHBA e sheh Tiranën si një vend relativisht të stabilizuar, që nuk paraqet rrezik të për destabilizim, dhe që nuk ka nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga shërbimet sekrete.

Ajo që është e shëmtuar ka të bejë me një gjest që të tre liderët kane ndërtuar rrëfimin e tyre se mund të bëjnë veprime të pamatura politike në kohën e fushatës zgjedhore në Amerikë ku fuqia vendimarrëse është e zbehtë. Këto fjali brenda logjikës politike destabilizuese kanë dalë nga këta liderë dhe për nga përmasa e problemit janë shokuese.

Këto dinamika reflektojnë perceptimin autokratik të tyre, që lidershipi dhe pushteti real shpesh qëndrojnë në duart e shërbimeve sekrete, më shumë sesa të institucionet civile.

Vizita e drejtorit të CIA-s në këto vende dhe Kosovë ushqen teoritë konspirative që institucionet demokratike, sidomos në kohë zgjedhjesh ne Amerike, nuk kanë fuqinë e duhur për të mbajtur ekuilibrin, dhe se vendimet më të rëndësishme merren përmes mekanizmave të fshehtë të inteligjencës dhe vet CIA-s.

Kështu mendojnë vetëm persona me shije autokratike dhe me probleme serioze qeverisjeje, sepse ndjehen më të sigurte në negociata të drejtpërdrejta me figura të “fshehta” si Burns, sepse ato pasqyrojnë qasjen e tyre ndaj pushtetit, ku transparenca dhe llogaridhënia janë të zëvendësuara nga pragmatizmi dhe sekretet e politikës.

Nuk është aspak lajm i mirë që shefi i CIA-s përzgjedh liderë për të biseduar dhe Kurtin tonë e fut në thes me Dodikun. Lajm i keq për demokracinë në Kosovë dhe për një lider qe ka kohë që s’kupton të vërtetën për jetën e tij politike.

Ose, mbase, është kjo jeta politike që ka zgjedhur, është kjo ideja që ka për pushtetin dhe është ky mësimi që deshi ta marrë nga Vuçiç & Dodik. Kështu, sipas tij, qëndrohet gjatë në pushtet në këto anë.

Shënim: Për të gjithë ata që mund ta quajnë edhe këtë vizitë një triumf të Kurtit, Vuçiçit dhe Dodikut, po shtoj se burime ne Washington treguan përse është shmangur Zagrebi nga turi i Burns dhe përgjigja është thelbi i këtij shkrimi: Sepse Kroacia nuk paraqet asnjë problem për zgjidhje në tryezën e Agjencisë së Inteligjencës Amerikane. Pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore