Kosova

Kurti viziton tre policët e Kosovës të liruar nga Serbia: I falënderova për qëndresën dhe besimin në institucione


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka takuar tre policët kufitarë të Kosovës – Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa – pas lirimit nga autoritetet e Serbisë pas më shumë se dy javësh prej kur ishin rrëmbyer në vijën kufitare.

“Për Bajram te Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tre oficerët tanë të Policisë, që ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e armatosura serbe, e u mbajtën rob padrejtësisht për 13 ditë nga Serbia”, ka shkruar kryemisnitri Kurti në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Mikpritje fort e ngrohtë, sepse festa ishte e dyfishtë në Peran, Letanc dhe Mitrovicë. I falënderova të tre policët tanë dhe familjet e tyre për qëndresën, besim e treguar dhe mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës”, ka shkruar ndër të tjera kreu i ekzekutvit.

Zyrtarët policorë të Kosovës– Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafë Shemi – të rrëmbyer nga strukturat e sigurisë së Serbisë më 14 qershor, thellë brenda territorit të Kosovës në pjesën veriore, janë liruar për t’u mbrojtur në liri, njoftoi të hënën Gjykata e Lartë në Kralevë – qytet në qendër të Serbisë.

Ndonëse aktakuza kundër tre policëve kosovarë është konfirmuar nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – ata ngarkohen me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse – të njëjtit do të mbrohen në liri, pra është marrë vendimi t’u ndërpritet paraburgimi prej një muaji.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vendin e quajtur Tresave/Bare nga autoritetet serbe të sigurisë, kishte shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Autoritetet e Kosovës e konsideruan fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe agresion ndaj sovranitetit të shtetit, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendonin se nuk bëhej fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë brenda territorit serb.

Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia) kishin kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Edhe Bashkimi Evropian po ashtu vazhdimisht kishte kërkuar që të tre policët kosovarë të lirohen.

Kidnapimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore