Lajme

Kurti viziton SHSKUK-në pas dorëheqjes së Latifit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën e ka filluar mëngjesin me vizitë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Vizita e Kurtit vjen pas dorëheqjes së ministritë të Shëndetësisë, Rifat Latifi nga kjo pozitë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, viziton Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. (ShSKUK, ora 7:00)”, thuhej në njoftimin dërguar mediave.

Në muajin gusht, kryeministri ishte takuar me ministrinë e shëndetësisë Rifat Latifin, zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku dhe Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Gjatë këtij takimi ata kanë diskutuar për vështirësitë dhe sfidat në sistemin shëndetësor, kishte bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Rifat Latifi dhe Albin Kurti

“Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë. Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore. Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas 11 muajve nga emërimi dha dorëheqje nga kabineti qeveritar.

Largimi i Latifit erdhi pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje.

Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, është thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, është shkruar në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi.

“Bashkangjitur me këtë letër, gjeni një përmbledhje të shkurtër të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si ministër”, ka përfunduar ai.

Institucionet e Kosovës, akoma nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare për largimin e ministrit nga kjo pozitë.

Lidhur me këtë çështje as ministri Latifi, akoma nuk është deklaruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore