Kosova

Kurti: Ura e Ibrit na ka mbajtur në distancë, le të na bashkojë  


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka njoftuar se protesta e serbëve në Veri të Kosovës kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve ka përfunduar pa asnjë incident, gjë për të cilën ka falënderuar institucionet e sigurisë.

“Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, ka shkruar fillimisht ai.

Ndërsa ka folur për planin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër që e bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, Kurti ka potencuar se ura për një kohë shumë të gjatë e ka mbajtur në distancë shqiptarët me serbët.

“Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë ka njoftuar gjithashtu se Komuna e Mitrovicës, të enjten, do të organizojë një bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore