Lajme

Kurti udhëton në Mbretërinë e Bashkuar, merr pjesë në Konferencën e Partisë Laburiste


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar ku do të marrë pjesë në Konferencën vjetore të Partisë Laburiste. Përgjatë punimeve të kësaj konference, krahas fjalimeve, ai do zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të kësaj partie si dhe përfaqësues të partive simotra nga shtete të ndryshme që do të marrin pjesë në konferencë.

Konferenca vjetore e Partisë Laburiste ka filluar sot (8 tetor) në qytetin e Liverpoolit dhe pritet të zgjasë deri të mërkurën (11 tetor). Ajo është konferenca kryesore e partisë dhe organi i saj më i lartë vendimmarrës. Konferenca e sivjetme do të mbulojë shëndetin, shkollat, strehimin, azilin, dhunën ndaj grave, të drejtat e punëtorëve, transportin dhe liritë civile.

Ndryshe, kjo përbën vizitën e katërt të kryeministrit Kurti në Mbretërinë e Bashkuar në më pak se dy vite. Herën e fundit, ai kishte takuar Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty – të dy nga radhët e Partisë Laburiste.

Partia Laburiste është partia më e madhe socialiste në Mbretërinë e Bashkuar – opozitë e Partisë Konservatore që aktualisht udhëhiqet nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak. Kujtojmë se përkrahja e Partisë Laburiste nuk ka munguar kurrë për Kosovën, posaçërisht në kohën e kryeministrit Tony Blair e deri më sot.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore