Kosova

Kurti udhëton drejt Zvicrës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka udhëtuar për në Zvicër.

Sipas njoftimit për media të Qeverisë, pasdite ai do të pritet në takim bilateral nga Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Alain Berset.

Ndërsa gjatë qëndrimit në Bern, Kurti do të zhvillojë po ashtu një takim me kandidatët shqiptarë për zgjedhjet federale të këtij viti.

Megjithatë, udhëtimi i Kurtit për në Zvicër nuk është pritur mirë në shtetin helvetik.

“Fakti që Kurti tani po bën fushatë për PS-në në rolin e tij si lider i partisë së majtë është tronditës”, tha kandidati i Këshillit Kombëtar dhe presidenti i FDP-së së Cyrihut, Përparim Avdili për mediumin zviceran “20 Minuten” ditë më parë.

Ndërsa Peter Keller, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane e cila është në pushtet, e përshkruan paraqitjen e planifikuar të Kurtit si “plotësisht të gabuar”.

“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”, thekson Keller.

Si Keller ashtu edhe Avdili shohin paralele me paraqitjet e Erdoganit në fushatë në Zvicër.

Partia Socialdemokrate e Zvicrës, siç kishte shkruar mediumi zviceran, po tenton të përdor kryeministrin Kurti për të kanalizuar kështu votat e diasporës shqiptare në Zvicër.

Ndryshe, Kurti gjatë vitit 2021, dy muaj pas formimit të Qeverisë Kurti II, kishte takuar Ëermuth duke bërë të ditur se ky i fundit kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje për vite me radhë.

“Gjatë takimit, një prej temave kryesore ishte mërgata e madhe e Kosovës në Zvicër dhe anembanë botës. Biseduam për krijimin e mundësive që mërgata të investojë në atdheun e tyre, por edhe për nevojën që vendi ynë ka për rikthimin e tyre. Bashkatdhetarët kanë fituar përvojë të jashtëzakonshme jashtë vendit, e janë potencial i madh për zhvillim të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore