Kosova

Kurti tregon se sa shumë Kosova e vlerëson Perëndimin: Serbia vazhdimisht po e shkel Marrëveshjen, por ne s’hoqëm dorë nga ajo


Albin Kurti në Irlandën e Veriut

Ndonëse raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë në nivelin më të ulët të tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në Queens University të Irlandës së Veriut me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”, ka potencuar se qasja konstruktive e Prishtinës zyrtare në raport me dialogun dhe Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit është dëshmi se sa shumë Kosova “vlerëson partneritetin me BE-në dhe SHBA-në”.

Kurti gjatë fjalimit të tij ndërsa ka potencuar destruktivitetin e Serbisë në raport me dialogun dhe refuzimin e saj për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, ka thënë se nuk është e lehtë të mbetesh mbështetës i një “marrëveshjeje, kur pala tjetër vazhdimisht e shkel, e denigron dhe e refuzon atë”.

“Është edhe më e vështirë të mbash besim në perspektivat e paqes dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me një vend që refuzon as të njohë ekzistencën tonë dhe sponsorizon bandat kriminale dhe terroriste që veprojnë në territorin tonë. Por ne në Kosovë kemi një bërthamë të palëkundur të optimizmit. Ne kurrë nuk mund – dhe nuk do të heqim dorë nga shpresa”, ka pohuar ai.

Fakti që Kosova, sipas Kurtit, nuk e ka braktisur marrëveshjen, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të Serbisë për ta minuar atë, është një dëshmi e përkushtimit të saj të hekurt për paqen me Serbinë – dhe me të gjitha shtetet e botës.

“Është gjithashtu një dëshmi se sa shumë e vlerësojmë partneritetin tonë me BE-në dhe SHBA-në”.

Kryeqeveritari ndërsa ka vlerësuar se siguria e Kosovës nuk është vetëm prioritet kombëtar, por edhe evropian, ka potencuar se Kosova dhe rajoni janë veçanërisht të cenueshëm ndaj ndikimit të Rusisë.

“Serbia është i vetmi vend evropian përveç Bjellorusisë që nuk vendos sanksione ndaj Federatës Ruse. Dhe mban lidhje të thella ekonomike dhe politike me vendin. Në parlamentin e fundit të Serbisë, 99 nga 250 deputetë, pothuajse 40% ishin gjithashtu anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore