Kosova

Kurti thotë se i ndodhi “e pabesueshmja në Turqi”, darkoi me një shkrimtar


Albin Kurti dhe Orhan Pamuk

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i ka ndodhur e “pabesueshmja” gjatë qëndrimit të tij në Turqi, pasi që shkrimtari turk, fituesi i çmimit Nobel për letërsi, Orhan Pamuk, e ka ftuar për darkë.

Këtë, Kurti e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se takimi i tij me Pamuk-in është “nder që nuk e shpjegoj” e “knaqësi që nuk e përshkruaj”.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat”, shkroi Kurti.

“Në restorantin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme”, shtoi.

Përveç kësaj, kryeministri potencoi se nobelisti Pamuk ka qenë shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët e Ballkanin.

Ndryshe, Orhan Pamuk është romancier, skenarist, akademik dhe fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 2006.

Pamuk konsiderohet si një nga romancierët më të shquar të Turqisë, i cili ka shitur mbi 13 milionë libra në 63 gjuhë, duke e bërë atë shkrimtarin turk që ka shitur më së shumti libra.

Pamuk është laureati i parë turk i Nobelit. Ai është gjithashtu fitues i shumë çmimeve të tjera letrare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore