Kosova

Kurti thotë se është dyfishuar buxheti për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë gjatë vitit të fundit ka subvencionuar afro 10 mijë familje për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje, ndërsa këtë vit ka dyfishuar buxhetin, me mbështetje të Bashkimit Evropian, në këtë fushë.

“Aktualisht është i hapur subvencioni për pajisje efiçiente shtëpiake dhe për sisteme diellore për ngrohje të ujit sanitar”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Facebook.

Kësisoj ai ka ftuar qytetarët të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ky subvencionim.

Rreth dy javë më parë Ministria e Ekonomisë ka bërë lansimin e mbështetjes së konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar.

Në lansimin e këtij projekti, Kurti theksoi se sektori i ekonomisë është një nga sektorët kryesor të qeverisë të cilën ai e drejton duke potencuar se fokusi i tyre nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese, por paralelisht edhe rritja e efiçiences së energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore