Lajme

Kurti: Terroristët përkrahen dhe financohen nga Beogradi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupi terrorist prej rreth 30 personave që sulmoi Policinë e Kosovës përkrahet politikisht dhe financiarisht nga Serbia.

Këto komente ai bëri pas vizitës tek familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë në Veri, ku shkoi për t’iu shprehur ngushëllime.

Kreu i ekzekutivit kosovar pohoi se procesi në vijim do të japë më shumë të dhëna se kush janë këta terroristë, dhe si kanë hyrë në Kosovë, por edhe kush “ka dhënë urdhër”.

“Çfarë kemi mësuar, është që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal që ka planifikuar gjatë këtë sulm. Ata nuk paraqesin një bandë të kontrabandës por një strukturë mercenare që është e përkrahur politikisht e financiarisht nga Beogradi zyrtar”, shtoi.

Kryeministri Kurti potencoi se në fshatin Samadraxhë të Komunës së Vushtrrisë, ka takuar gruan e policit të vrarë dhe tre fëmijët e tij, teksa ka shtuar se bashkë me farefisin e tij dhe kolegët e tij ndan pikëllimin për vrasjen e tij.

“Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë ardhur këtu për të bërë nderime për policin e vrarë. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit, në rrugën e vështirë për ligj dhe drejtësi”.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë futur brenda Manastirit të Banjskës në Zveçan merr vesh Albanian Post, derisa dhjetëra persona janë kapur nga ekipet policore, porse ende nuk dihet nëse janë të gjithë anëtarë të grupit terrorist që ka sulmuar Policinë e Kosovës të dielën, duke lënë të vdekur një zyrtar policor.

Policia e Kosovës aktualisht është duke kryer procesin e identifikimit të personave brenda Manastirit të Banjskës, ngase siç është bërë e ditur edhe nga autoritetet kosovare, disa prej personave që kanë qenë brenda janë pelegrinë ortodoksë  e të tjerë dyshohet se janë persona që kanë bashkëpunuar me kryesit e sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

Aktualisht, strukturat e sigurisë po kryejnë një operacion policor kundër grupit të armatosur terrorist që ishin ngujuar në Manastirin e Banjskës që nga orët e para të mëngjesit, derisa tre terroristë janë vrarë deri më tash nga Policia e Kosovës, kurse gjashtë të tjerë janë arrestuar – dy prej tyre të plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore