Kosova

Kurti të mërkurën takohet me Njësinë Speciale Intervenuese


Protesta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të mërkurë, do të takohet me Njësinë Speciale Intervenuese, për të diskutuar për kërkesat e tyre.

Albanian Post merr vesh se takimi i të parit të ekzekutivit dhe pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, do të mbahet me fillim në ora 16:00.

Pjesëtarët e njësitit më elitar të Policisë së Kosovës, patën protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor.

Ata kishin paralajmëruan edhe një protestë gjashtë ditë më vonë, por e njëjta u pezullua pasi pati premtim nga Kurti për t’i pritur në takim.

Çfarë ndodhi?

Ashtu edhe siç u paralajmërua me maska në fytyra e pa shoqërimin e armëve pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovë, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, protestuan të mërkurën e 1 tetorit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje shprehën pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Ata përveç heshtjesh – si simbolikë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj kushteve të punës, pagave por edhe mungesës së komunikimit korrekt nga niveli politik i Qeverisë në ditën më kritike për vendin (24 shtator) – edhe folën duke parashtruar kërkesa e tyre konkrete ndaj ekzekutivit kosovar.

Njëri nga pjesëtarët e kësaj njësie ndërsa kumtonte publikut kërkesat kërkoi ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marr premtime për benefite të cilat na takojnë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij ai ka listoi edhe disa nga kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës siç janë kategorizimi si njësi të veçanta, përcaktimi i rrezikshmërisë në 50 për qind prej pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme”.

Kërkesat e kësaj njësie, sipas pjesëtarit i cili barte maskë për të mos e identifikuar identitetin e tij për shkaqe sigurie, janë legjitime dhe të nevojë urgjente.

“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizmin e tyre”, tha ai gjatë një konference para gazetarëve duke shtuar se nuk përfaqësohen nga askush.

I njëjti ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë dhe të marrë hapa konkretë në realizmin e kërkesave të tyre.

“Kryeministër, ju i dini rreziqet që i bartim gjatë gjithë kohës për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë, prandaj mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona”, shtoi ai.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore