Kosova

Kurti takon Rohde-n, flasin për zhvillimet dhe temat aktuale në vend


Jorn Rohde dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, me të cilin ka diskutuar, ndër të tjera, për zhvillimet dhe temat aktuale në vend.

Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“Në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin në projektet zhvillimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për zhvillimet dhe temat aktuale në vend”, thuhet në njoftim.

Kurti, siç theksohet në komunikatë, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe e falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin e afërt dhe të vazhdueshëm si dhe për bashkëbisedimin e ditës së sotme.

Në orët e para të mëngjesit, kryeministri Kurti, është takuar edhe me Shefin e Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Kurti ka thënë se në këtë takim u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Kështu të paktën njoftoi Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, ku theksohet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet aty.

Aty potencohet se Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”.

Shefi i CIA-s ka qëndruar të enjten dhe të premten në Kosovë.

Fillimisht ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, së bashku me Shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti.

Ndërsa, të premten është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore