Lajme

Kurti takon ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, diskutojnë për sigurinë


Albin Kurti dhe James Heappey

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të martë gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur në takim nga ministri i Forcave të Armatosura, James Heappey, me të cilin thuhet se kanë diskutuar për çështjet e sigurisë, sidomos pas invazionit rus në Ukrainë.

Bazuar në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, i pari i ekzekutivit gjatë takimit me ministrin Heappey, ka falënderuar këtë të fundit për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

“Është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të sigurisë, ku Kurti ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e institucioneve profesionale të mbrojtjes, sidomos të akademisë së mbrojtjes Sandhurst për shkollim të karrierës e specialistik”, thuhet në komunikatën për media.

Gjatë bisedës për çështjet e sigurisë, janë theksuar sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus në Ukrainë.

“Kosova është rreshtuar përkrah botës demokratike, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e dënuar sulmin dhe duke vendosur masat sanksionuese ndaj Federatës Ruse. Ai theksoi ndihmën e qeverisë për Ukrainën, ofrimin e strehimit për 5 mijë refugjatë dhe kushteve të punës për 20 gazetarë ukrainas, katër prej të cilëve tashmë janë vendosur në Kosovë dhe po vazhdojnë të merren me profesionin e tyre”, njofton komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore