Kosova

Kurti takon kryetarin dhe nënkryetaren e Leposaviqit, i përgëzon për “punën” e tyre


Albin Kurti dhe Lulzim Hetemi

Këtë të mërkure, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka takuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe nënkryetaren e kësaj komune, Marina Bogojeviç, të cilët i ka falënderuar për punën e tyre.

Ky takim i Kurtit me kryetarin Hetemi, ka ardhur pak ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), caktoi 21 prillin datën kur do të votohet për shkarkimin e katër kryetraëve të komunave Veriore, Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

“Kryetari Hetemi dhe nënkryetarja Bogojevic njoftuan kryeministrin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale”, ka njoftuar në një komunikatë për media Zyra e Kryeministrit.

Aty theksohet se në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua “rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”.

Foto: ZKM

Kryeministri Kurti, potencohet aty, “i përgëzoi për punën, angazhimin dhe kontributin.

“Duke u dhënë mbështetjen e tij, ai kërkoi nga ata qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike”.

Ndryshe, dy ditë para se ta mbushin një vit të plotë që janë zgjedhur, kryetarët e katër komunave Veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do përballen përsëri me votim, kësaj radhe për t’u shkarkuar.

Vendimi u mor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili e caktoi 21 prillin si datë kur qytetarët e komunave Veriore – të banuar me shumicë serbe – do të marrin pjesë në votime për t’i shkarkuar udhëheqësit e tyre, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Për të filluar iniciativën për shkarkimin e kryetarëve, ishte ndjekur rruga të cilën e kishte formuluar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që drejtohet nga Elbert Krasniqi, përmes një Udhëzimi Administrativ.

Në bazë të këtij udhëzimi, për të iniciuar nismën për shkarkimin e kryetarëve, duhet të mblidheshin 20 për qind e nënshkrimeve të banorëve me të drejtë vote në atë zonë.

Nënshkrimet e nevojshme, pra 20 për qindëshi, ishin mbledhur në janar të këtij viti, në një periudhë tejet të shkurtër kohore.

Për shkarkimin e kryetarëve, gjithmonë sipas Udhëzimit Administrativ, duhet që 50 për qind e votës totale që merr pjesë në votime të shprehet pro largimit të tyre.

Kryetarët shqiptarë në komunat Veriore ishin zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto qytete më 23 prill të vitit të kaluar, pas dorëheqjeve të atyre serbë, më 5 nëntor 2022.

Serbët lokalë – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bojkotuar në shumicë dërrmuese këto zgjedhje, çka i kishte hapur rrugë kandidatëve shqiptarë për t’u vendosur në krye të këtyre komunave për herë të parë në histori, edhe pse me numër tejet të vogël votash, kryesisht shqiptare.

Ndonëse ishin bojkotuar nga serbët, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështetën këto zgjedhje.

Por, situata do të ndryshonte më pas, posaçërisht që nga 26 maj. Do krijoheshin tensionet më të mëdha në atë pjesë të vendit, në tërë historinë e Kosovës së pasluftës.

Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e zgjedhur shqiptarë – pa koordinim me ndërkombëtarët – hasi në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.

Me asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj, nën kundërshtimin e serbëve lokalë, kryetarët arritën që të futeshin në zyrat e tyre në objektet komunale.

Mirëpo, si pasojë e këtyre tensioneve, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar vetëm Kosovën. Madje, Departamenti amerikan i Shtetit kishte thënë se kjo situatë e krijuar mund të ndikojë në relacionet në mes të dy vendeve.

26 maji nuk ishte dita e vetme kur pati dhunë. Në përmasa edhe më të mëdha ishte më 29 maj, vetëm tri ditë më pas.

Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) – të cilët kishin marrë në dorë situatën – duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nënshkroi dekretin për gatishmërinë e lartë të ushtrisë, duke dislokuar kështu një numër të madh të ushtarëve përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i shtetit serb u kritikua nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan largimin e menjëhershëm të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Pasojat më të mëdha për të tërë situatën e krijuar në Veri, pas zgjedhjeve të 23 prillit, do të rëndonin mbi Kosovën.

Në qershor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian, si pasojë e refuzimit të qeverisë së Albin Kurtit, për ta shtensionuar situatën në Veri – një nga kërkesat e ndërkombëtarëve ishte edhe largimi i kryetarëve – vendosi sanksione politike dhe ekonomike ndaj Prishtinës zyrtare, të cilat vazhdojnë që të jenë në fuqi.

“Cenim i kredibilitetit të shtetit dhe miliona euro të humbura, vetëm për ego të Kurtit” – Sa i kushtoi Kosovës “aventura” me kryetarët në Veri sipas opozitës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore