Lajme

Kurti takon Dendias për të 10-tën herë, megjithatë Greqia s’ndryshon qëndrim për pavarësinë e Kosovës


Albin Kurti dhe Nikos Dendias

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në Greqi në margjinat e Forumit Ekonomik Delphi, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias – për të 10-tën herë me radhë në dy vitet e fundit – me të cilin ka diskutuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen tutje.

“Veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, ishin pjesë qendrore e takimit”.

Kurti në këtë takim përpos që ka falënderuar kryediplomatin grek dhe shtetin helen për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Gjatë takimit u diskutua rezultatet dhe rëndësia e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

Se Greqia nuk e ka ndërmend ta ndryshojë pozicionin karshi pavarësisë së Kosovës ani pse të hënën e 24 prillit delegacioni i shtetit helen në Këshillin e Evropës abstenoi kur Komiteti Ministror votoi për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar e thotë këshilltari i kryeministrit grek për sigurinë kombëtare, Thanos Dokos.

Vota abstenuese e Greqisë në KiE, sipas Dokos, është si rrjedhojë e Marrëveshjes së dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbisë fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars dhe sidomos nenit 4 të ujdisë ku Serbia pranoi se nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Ne menduam se ishte mirë për zbatimin e shtetit të së drejtës dhe për të qetësuar tensionet midis dy vendeve. Ne ende nuk e kemi njohur Kosovën, as nuk do ta bëjmë. Ne po mundohemi të jemi sa më konstruktivë që të mundemi”, ka thënë Dokos.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore