Kosova

Kurti takon ambasadorin e ri të SHBA-së, i kërkon thellim të aleancës mes dy shteteve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ka theksuar se ambasadori i ri e njeh Kosovën dhe popullin e tij, andaj pret bashkëpunim të ngushtë dhe thellim të aleancës me ShBA-në.

“Andaj në javët, muajt dhe vitet në vijim pres të kemi bashkëpunim të ngushtë për marrëdhënien sa më të mira ndërmjet Kosovë dhe SHBA-së në mënyrë që të zgjerojmë dhe të thellojmë aleancën tonë e cila është në shumë fusha prej demokracisë, sundimin të ligjit, qeverisjes së mirë, investime ekonomi dhe deri te mbrojtja dhe siguria, paqes dhe stabilitetit afatgjatë”, tha Kurti.

Ndërsa, ambasadori Hovenier, pohoi pritjet e tij për thellim të bashkëpunimit me këtë vend.

“SHBA-ja çmon marrëdhënien që ka me Kosovën dhe unë e çmoj këtë marrëdhënie. Besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me kryeministrin dhe qeverinë e tij për të vazhduar drejt rrugëtimit për një shtet i cili është demokratik, shumetnik dhe me prosperitet”, potencoi Hovenier.

Jeffrey Hovenier

Këtë të hënë paradite, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka pranuar kredencialet nga Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier.

Hovenier, e ka quajtur nder të jetës së tij, derisa nuk ka hezituar t’u thotë kosovarëve se ShBA-të janë na anën e Kosovës.

Hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i ShBA-së

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është përqendruar në çështjet e sigurisë në Evropë dhe Euroazi.

Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, Turqi.

Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.

Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga qeveria e Republikës së Kosovës

Diplomati amerikan është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore