Kosova

Kurti takohet me Mickoskin në Maqedoninë e Veriut


Pas takimit bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, ka nisur mbledhja e përbashkët ku të pranishëm janë edhe disa nga ministrat e dy qeverive.

Në këtë vizitë, Kurti është i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ndërkaq sipas njoftimit për media të Qeverisë së Kosovës, pas takimit, Kurti dhe Mickoski do të deklarohen për media.

Vizita e Kurtit në RMV realizohet në kohën e tensioneve diplomatike midis dy shteteve, përkatësisht pas incidentit të fundit në Aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja kosovare, Vjosa Osmani, incident që autoritetet e cilësuan “sulm” ndaj Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut. E opozita shqiptare atje ka fajësuar koalicionin qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE për skandalin.

Në qeveri bën pjesë edhe koalicioni i partive shqiptare “VLEN” që u mbështet nga kryeministri i Kosovës kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Gjithashtu, vizita e Kurtit vjen disa javë pas arrestimit të ish-anëtarit të Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia, në pikëkalimin kufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nën akuzat për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore