Kurti takohet me Grliç Radman: I flet për draft-vizionin kroat

SHFLETO

Albin Kurti dhe Gordan Grliç Radman

 

Dini Fetahu
09.05.2023 20:11
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, me të cilin ka biseduar për dialogun me Serbinë, dhe po ashtu për draft-vizionin që Kurti e prezantoi në Bruksel 2 maj, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në takimin e nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Siç njofton zyra e kryeministrit ata kanë folur “për Marrëveshjen Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Planin e Zbatimit të saj, sipas dakordimit në Bruksel dhe në Ohër”.

“Kryeministri e njoftoi ministrin Radman se në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt javën e kaluar, ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazike, bazuar në modelin kroat të trajtimit të pakicave kombëtare serbe. Në lidhje me të, ai tha duke qenë vend anëtare e BE-se dhe e NATO-s, Kosova e sheh Kroacinë si tregim suksesi dhe model që duhet ndjekur për sa i takon të arriturave ekonomike dhe demokratike, por edhe për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve”, thuhet aty.

Ndërkaq, Kurti e falënderoi kryediplomatin kroat për kontributin, ndihmën dhe mbështetjen e pareshtur të Kroacisë “që nga koha e Federatës së ish-Jugosllavisë, pas luftës çlirimtare e deri te shpallja e pavarësisë”.

“Kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Radman me zhvillimet aktuale, punën e qeverisë dhe arritjet kryesore të viteve të fundit. Progres ky që po mbështetet edhe nga raportet kredible ndërkombëtare, të cilat vit pas viti po e nxjerrin Kosovën si lidere në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e demokracisë, lirive dhe të drejtave, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”, thuhet në njoftimin.

Ndërsa, nga ana e tij kryediplomati kroat u shpreh falënderues për mikpritjen dhe përcolli të falat nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç”.

“Ai e uroi kryeministrin për punën e mirë në qeverisje, ndërkohë që uroi Kosovën dhe popullin e saj për liberalizimin e vizave dhe kalimin me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procese këto që kanë pasur mbështetje të fuqishme edhe të Kroacisë. Ai tha sa vendi i tij përkrah Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu kandidimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”.

Në këtë takim kreu i ekzekutivit ishte i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ndryshe, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman, pas takimit me homologen e tij nga Kosova, Donika Gërvallën në Prishtinë, ka folur për propozimin e kryeministrit Albin Kurti i cili theksoi ditë me parë që Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, të jetë si model për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Po na vjen mirë që Kroacia merret si një model. Qëllimi im këtu sot është vetëm për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Për modelin kroat mund të flasim, mund të them që ky model është promovuar përmes ligjit kushtetues dhe është i suksesshëm si i tillë. Ndoshta mund të shërbej si një shembull”, tha Griliç.

Ai ka theksuar se “ky model ka rezultuar si suksesshëm tek ne”, por ka shtuar se  ka modele të shumta në botë që mund të shfrytëzohen.

“Sa i përket mënyrës së integrimit serb për këtë vendos Kosova. Ne mbështesim çdo marrëveshje ku të dyja palët janë të kënaqura”, shtoi ai.

Çka është Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe në Kroaci, modeli që propozoi Kurti në Bruksel?