Kosova

Kurti takohet me drejtorin e kompanisë që shet dron: FSK-ja është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake


Kryeministri Kosovës, Albin Kurti është takuar me Drejtorin Ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Baykar, Haluk Bayraktar, që po shoqërohej nga Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

Sipas njoftimit për media të Qeverisë, Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar-it për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes e Kosovës, duke dëshmuar kësisoj edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake, e padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë Turqisë me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve tjera më moderne ushtarake”, thuhet në njoftim.

Kurti gjithashtu ka uruar Bayraktar-in për medaljen “Shërbim të Shquar”, me të cilën u dekorua nga ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në vend.

Gjatë takimit, kryeministri dhe drejtori i kompanisë Baykar, Bayraktar diskutuan edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Ndryshe, më 16 korrik, Kurti kishte prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria i pati blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, pati shkruar Kurti në Facebook.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47. Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore