Lajme

Kurti, Stoltenbergut: NATO të dalë me konkluzione për rastin në Banjë dhe kidnapimin e 3 policëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që NATO-ja të dalë sa me shpejt me konkluzione për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit dhe kidnapimin e tre policëve në Veri të vendit më 14 qershor nga autoritet serbe.

“Kryeministri tha se këto dy raste dëshmojnë nevojën për të rritur sigurinë sidomos përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa i bëri thirrje Sekretarit që NATO gjithashtu të dalë sa më parë me konkluzionet e hetimeve të saj të pavarura mbi rastin e rrëmbimit kriminal të tre policëve të Kosovës dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, thuhet në njoftim për media nga Qeveria.

“Kurti ndau me Sekretarin e NATO-s, Stoltenberg të gjetura nga procesi i hetimeve të institucioneve vendore të sigurisë mbi rastin e sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, por edhe mbi rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës së Kosovës, me 14 qershor, që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë”.

Sipas njoftimit, Kurti e Stoltenberg kanë biseduar edhe për situatën e sigurisë në vend dhe praninë e 48 bazave ushtarake të Serbisë përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të kufirit.

“Më këtë rast, Kryeministri listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.  Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92”, thuhet në njoftim.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe”,

Kryeministri Kurti kërkoi nga Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë, duke shtuar se “përderisa viti i kaluar u përshkrua me barrikada të ngritura nga grupe kriminale që qëllim kishin t’u kundërviheshin rendit dhe ligjit (korrik dhe dhjetor 2022), ky vit ishte vit i sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit, vendore dhe ndërkombëtare”.

Në takim u bisedua edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.

“Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore