Lajme

Kurti: S’ka shtrenjtim të energjisë elektrike, nëse ka fatura të fryra KESCO dhe ZRRE-ja janë adresat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë muajit dhjetor nuk ka pasur shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se adresat e vetme për ankesa janë KESCO dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Kurti, para gazetarëve ka deklaruar se kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike, ka edhe fatura më të larta.

“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike”.

“Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, ka deklaruar ai.

Kreu i ekzekutivit, pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë Kosovë, ku është bërë përurimi i fillimit të punëve për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit për këtë komunë, ka përmendur edhe subvencionimet që janë bërë për pajisjet efiçiente.

“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”.

Për muajin dhjetor rritjen shumëfishore dhe të papartishme të faturave të rrymës e kanë bërë publik qytetarët në rrjetet sociale.

Nga kompania përgjegjëse KESCO u arsyetuan duke thënë se është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës”, por kjo rezulton të mos jetë e vërtetë, sepse shumë veta kanë dëshmuar që kanë shpenzuar edhe më pak dhe po paguajnë trefish nga muaji i kaluar, apo krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Më 26 prill, Qeveria e Kosovës, kishte bërë të ditur se ka përfunduar subvencionimi i faturave të konsumatorëve që kursejnë energjinë elektrike.

Nga kjo masë, e cila ka filluar në muajin shtator të vitit të kaluar, kanë përfituar rreth 200 mijë familje dhe janë kursyer 88 milionë euro nga importi, kishte thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media, së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Nga ky muaj Qeveria e Kosovës kishte subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kishin kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Murati tregoi se subvencionimi për tre muajit e parë (shtator, tetor, nëntor) janë paguar nga buxheti i Kosovës, ndërsa katër muajt e tjerë (dhjetor 2022, janar, shkurt, mars 2023) janë paguar nga fondet e Bashkimit Evropian në shumën prej 15 milionë eurosh.

Nga 1 prilli i 2023-ës qytetarët në Kosovë kanë nisur t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike për 15 për qind më shtrenjtë.

Ky vendim është marrë në muajin mars nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike.

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike “s’është e rastësishme, por e qëllimshme”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore