Kurti: Sivjet u punësuan mbi 60 mijë të rinj

SHFLETO
Valon Rashiti
20.12.2023 20:40
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim të tij në Konferencën për Rininë 2023 të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se gjatë këtij viti janë punësuar mbi 60 mijë të rinj në vend.

“Në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 të rinj të punësuar, kurse në fund të korrikut sivjet 2023, numri i të punësuarve ishte 60,884, arritje kjo mundësuar edhe përmes platformës së punësimit Superpuna, programit “Kosova Generation Unlimited”, dhe programit “Komunat për të rinjtë”, tha Kurti, ka njoftuar zyra për media e Qeverisë.

Kurti u shpreh se roli i shtetit është ta përcjellë talentin dhe potencialin me mbështetje direkte, siç është edhe Strategjia Shtetërore për Rininë.

“Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale për rininë, për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh kryeministri.

“Unë jam i bindur se nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të bëjmë si Qeveri se sa të përgatisim gjeneratën e ardhshme për zhvillim e për udhëheqje të vendit tonë”, shtoi kryeministri duke u bërë thirrje të rinjve të kujdesen e të punojnë bashkë, për t’i ndihmuar vetës, njëri-tjetrit dhe shtetit.

“Me liberalizimin e vizave, dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të mobilitetit të shtuar dhe lidhjes më të afërt me Evropën. E nëpërmjet programeve në shkolla publike, po bëjmë shtrirjen e artit, sportit dhe vullnetarizmit për gjeneratat e reja në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Skënderajt, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt dhe Kamenicës”.

Ndryshe, përmes platformës online “Superpuna”, të gjithë punëkërkuesit të cilët nuk kanë pasur kontratë pune paraprake dhe këtë e bëjnë për herë të parë, përmes platformës, Qeveria do të subvencionojë 264 euro rrogë për 6 muajt e parë të punës, në kompaninë që e gjejnë po përmes kësaj platforme.

Derisa në përgjithësi është parë si një politikë e mirë e qeverisë, ka pasur edhe skeptikë të ndryshëm për platformën dhe për atë se kush realisht fiton nga kjo politikë.