Lajme

Kurti “shijon” diskutimet me zyrtarët grekë për dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh


Albin Kurti dhe Giorgos Gerapetritis

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Greqi, ka takuar zyrtarë institucionalë, përfshirë ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias dhe kryediplomatin grek, Giorgos Gerapetritis, të cilët i ka informuar për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) dhe situatën e sigurisë në Kosovë.

Shefi i Qeverisë së Kosovës gjatë vizitës së tij në Athinë ka marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga prestigjozja britanike “The Economist” mbi trazirat aktuale gjeopolitike nëpër botë, derisa nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka njoftuar se ministrit grek i ka treguar edhe për bashkëpunimin me Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Shijova takimin me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias. Unë kam folur për sulmin terrorist dhe se si trupat paraushtarake u penguan të zbatonin planin e tyre të një konflikti më të madh. Ne diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin me KFOR-in për patrullimin e kufirit verior”, ka shkruar të martën kreu i ekzekutivit kosovar.

E disa çaste me vonë, kryeministri Kurti ka njoftuar edhe për takimin qe ka pasur me shefin e diplomacisë greke, me të cilin, sipas një postimi në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X”, përveç çështjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe situatën e sigurisë, ka diskutuar edhe për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Prishtinës dhe Athinës.

“Shijova diskutimin e sotëm me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis. Kam diskutuar për përkushtimin tonë për dialog, sigurinë dhe normalizimin e marrëdhënieve, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet euroatlantike, si dhe rritjen e bashkëpunimit tonë dypalësh ekonomik dhe tregtar”, ka shkruar ai.

Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, rritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore