Kosova

Kurti: Serbia shkeli Marrëveshjen e Kumanovës, presim që KFOR-i të marrë përgjegjësi ndërkombëtare


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se përgjegjësia e mbrojtes së kufirit të Kosovës do të duhej të ishte e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa shtoi se po presin pikërisht nga KFOR-i që të marrë përgjegjësi.

“Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it. Prandaj, ne ende jemi në pritje nga KFOR-i që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se KFOR-i duhet të urdhërojë Serbinë t’i kthejë tre policët e kidnapuar në vijën kufitare të mërkurën dhe të ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial, të sovranitetit por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës (9 qershor, 1999)

“KFOR-i s’do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues që kishte edhe mandat të parandalonte. Nëse e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, e do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha Kurti.

Protestën për heshtje edhe pas 30 orësh pas këtij akti agresioni, siç tha kreu i ekzekutivit, iu ka shprehur zyrtarisht edhe KFOR-it, duke e përcjellur edhe me kërkesën për reagim urgjent të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

“Agresioni përbën vepër të ndaluar në të drejtën ndërkombëtare, kurse urdhërdhënësit e saj kanë konsumuar një vepër ndërkombëtare penale. Shtetet u binden rregullave bazike të së drejtës ndërkombëtare ose, nëse jo, reprezaljet do të duhet të pasojnë, kurse rregullat minimale të raporteve ndërshtetërore duhet të ndryshojnë”.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe të mërkurën gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë “arrestuar” nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore