Kosova

Kurti: “Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë”


Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen ndonjëherë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në vizitën që i bëri Policisë së Kosovës këtë të mërkurë.

“Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”.

Bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri Kurti vizitoi Drejtorinë e sapo themeluar për Hetimin e Krimeve të Luftës, që në të kaluarën ka qenë në nivel sektori.

Por, sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.

Sa ishte në nivel sektori, Policia kishte të angazhuar 19 zyrtarë hetues, ndërsa tani që është shtuar numri i hetuesve dhe është ngritur departament i veçantë në nivel të drejtorisë, është e lidhur drejtpërdrejt me Departamentin Qendror të Hetimeve, në nivelin e hierarkisë dhe funksionit.

Nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj,  ndërsa procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar, 41.

“Nuk ka më prioritet se e vërteta dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës, jo veç për këtë brez, por edhe për brezat e ardhshëm”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti veçoi rëndësinë e zbatimit të ligji për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.

Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, Kryeministri tha se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

Me marrëveshjen e Ohrit dhe “adoptimit të deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24 vjeçar”, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Theks të veçantë kryeministri vuri edhe në dakordimin për hapjen e arkivave shtetërore, “nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, ‘Patkoi’”.

Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë.

Në këtë takim ku i pranishëm ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha, Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të emëruar së fundmi, Bashkim Spahiu, hetuesit dhe zyrtarët e kësaj drejtorie, kryeministri është zotuar duke ritheksuar se qeveria nuk do të rreshtë së kërkuari drejtësi për krimet e luftës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore