Lajme

Kurti s’e pranon që Qeveria ndau më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me disa nga kryetarët e komunave, e ka mohuar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për vitin 2024 për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, siç thuhet në një analizë të Institutit për Studime të Avancuara (GAP).

“Buxheti i komunave arrin në 742 milionë euro. Po bëhet viti i dytë rresht që rritja e buxhetit është dyshifrore , krahasuar me vitin paraprak. Arsyeja pse po detyrohemi që ta përsërisim është se në vazhdimësi po dëgjojmë kritika dhe akuza për mbështetje të komunave nga Qeveria, ose pabarazi të mbështetjes. Asnjëra as tjetra, nuk qëndrojnë”, tha Kurti.

“Asnjëri nga ne të mos i kontribuojnë keqinformimit të qytetarëve, por që të gjithë bashkë të luajmë një rol akitv të mirinformimit kur vjen puna te mbështetja te niveli qendror”, potencoi kreu i Qeverisë.

Kurti ka theksuar se buxheti i vitit 2024 është gati dy herë i lartë krahasuar me atë të vitit 2023, derisa ka shtuar se “buxheti vjetor për tri vite është rrituri mbi 100 milionë euro”.

Por, bazuar në analizën e Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore