Kosova

Kurti s’arriti ta bind Perëndimin për hapjen e urës së Ibrit  


Albin Kurti dhe ambasadorët e QUINT-it

I shkurtër në sqarim dhe mjaft i drejtpërdrejtë në kërkesë u paraqit të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili njoftoi se qëndrimi i shteteve të QUINT-it (SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe i NATO-s është kundër që ura mbi lumin Ibër, e cila bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut të hapet për qarkullimin e automjeteve në këtë fazë.

Me këtë qëndrim QUINT-i doli kundër synimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Më 18 korrik kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, një ditë pas takimit me ambasadorët e QUINT-it deklaroi se synimi i ekzekutivit për hapjen e urës së Ibrit nuk është kundër askujt.

Ai madje argumentoi se hapja e saj është edhe obligim ligjor.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha ai.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

“I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”.

Por, në këtë fazë Kurti nuk ka arritur t’i bind vendet e QUINT-it, të cilët haptazi dolën kundër hapjes së urës.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier për gazetarë pas takimit.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, vlerësoi se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kundër një qasjeje të tillë ka dalë së fundmi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vlerësimin e së cilës kjo çështje nuk duhet të jetë temë e dialogut.

“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, shkroi ajo në platformën sociale, Facebook.

Ura e Ibrit, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë.

Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore