Kosova

Kurti refuzoi kompromisin për CEFTA-n, Rohde: Vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin pa Kosovën në Procesin e Berlinit


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të lëvizin pa Kosovën drejt bashkëpunimit rajonal, pas vizitës së “passuksesshme” të emisarit të posaçëm gjerman, Manuel Sarrazin, në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve në prag të Procesit të Berlinit.

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i është kërkuar që të angazhohet urgjentisht në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet që burojnë nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), duke hequr në këtë mënyrë edhe vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Gjithashtu, sipas Rohdes, duke qenë se Kosova ende përfaqësohet në CEFTA përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), emisari i posaçëm s’ka arritur të bind Kurtin të bëjë kompromis: Kosova e përfaqësuar në CEFTA në këmbim të heqjes së ndaleses për mallrat serbe.

“Sarrazini vizitoi sërish Kosovën për t’i kërkuar Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kyçe për qytetarët, duke zëvendësuar UNMIK-un dhe sjellur Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të rajonit do të lëvizin pa Kosovën për momentin, për të ecur përpara drejt bashkëpunimit rajonal dhe Procesit të Berlinit”.

Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor takoi javën e kaluar kreun e ekzekutivit kosovar, ku theksoi se vendet e rajonit, posaçërisht Kosova e Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian (BE).

“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt BE-së”, shtoi ai duke folur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. E nisur nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, kjo inciativë synon të lehtësojë zhvillimin ekonomik përmes nxitjes së bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, para anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore